Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Grant Shapps, u ka dërguar rebelëve Houthi një paralajmërim pasi grupi militant i Jemenit nisi sulmin me dron mbi luftanijen britanike HMS Diamond në Detin e Kuq.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Shapps paralajmëroi rebelët Houthi që t’i japin fund sulmeve të tyre ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq pasi luftanijet britanike dhe amerikane u detyruan të zmbrapsnin një valë të madhe raketash dhe dronësh nga militantët e mbështetur nga Irani.
HMS Diamond, një shkatërrues i njohur si “xhevahiri” i Marinës Mbretërore, rrëzoi objektivat me një breshëri raketash Sea Viper – të cilat udhëtojnë tri herë më shumë se shpejtësia e zërit.
Në operacion u përfshinë edhe aeroplanë luftarakë amerikanë.
Shapps i tha Sky News se “nuk kishte dyshim” se Teherani ishte i përfshirë dhe ofronte armë dhe inteligjencë.
“Mjaft është mjaft”, tha ai. “Ne duhet të jemi të qartë me Houthi-t se kjo duhet të ndalet…”.
Shapps e quajti sulmin Houthi “më të madhin deri më sot” dhe tha se Mbretëria e Bashkuar kishte ndërmarrë veprime për “të mbrojtur jetët e pafajshme dhe ekonominë globale”.
Ai tha se asnjë nga ekuipazhi i HMS Diamond nuk ishte lënduar.
Houthi-t janë një milici e mbështetur nga Irani që ka goditur anijet tregtare në Detin e Kuq për muaj të tërë, duke detyruar një koalicion kombesh, përfshirë Britaninë e Madhe dhe SHBA-në, të vendosin anije luftarake për t’i mbrojtur ato.
Rebelët thonë se sulmet e tyre kanë për qëllim ndalimin e luftës së Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
Sulmet e tyre po ndërpresin tregtinë detare përmes kanalit të Suezit – një rrugë thelbësore që lidh Evropën me Azinë dhe Lindjen e Mesme – duke çuar në vonesa dhe rritje të çmimeve për konsumatorët. /Telegrafi/