Në muajin e ardhshëm do të nis edicioni i 14-të i festivalit tradicional të komedisë “Mittrix Fest” në Mitrovicë.
“Të qeshura pafund po vijnë në Mitrovicë”, kështu është paralajmëruar hapja e këtij edicioni të festivalit, shkruan Telegrafi.
Ky festival do të mbahet nga 2 deri më 7 dhjetor, ku nga ora 19:30 në teatrin e qytetit “Muharrem Qena” do të ketë shfaqje, ekspozita të pikturave e të tjerë.
Gjatë këtyre ditëve do të jepen 6 shfaqje që do të jenë komedi teatrale dhe do të garojnë për 7 çmimet e mëdha që do t’i ndajë juria profesonale.
Në këtë edicion do të ketë edhe ekspozitë të pikturave të realizuara nga fëmijët me autizëm.
“5 vizita turistike – promovim i qytetit dhe trashëgimisë kulturore, 5 workshope nga ekspert të fushës së teatrit, 6 ndeja / party, mbrëmje të paharruara në Mitrovicën e të gjithëve”, bëhet e ditur për aktivitetet që do të mbahen në njoftimin e lëshuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës.
Tutje thuhet se e gjitha kjo do të mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës. /Telegrafi/