Telegrafi

Mitsotakis: Udhëheqja e RMV-së do të kuptojë se kjo taktikë është kundërproduktive, marrëveshjet duhet të respektohen

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis mori pjesë në samitin e NATO-s që u mbajt në Uashington, ndërsa së fundmi ka dhënë edhe një konferencë për shtyp.

Në konferencën për shtyp që dha, pas punimeve të samitit të NATO-s në Uashington, kryeministri grek është pyetur nga gazetarët për homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, në lidhje me mosrespektimin e marrëveshjen së Prespës për përdorimin e emrit kushtetues brenda vendit të tij .

“Nuk do të zbulojmë armët tona që i kemi në dispozicion për momentin nëse Mickoski vazhdon të quajë thjesht Maqedoni vendin e tij brenda kufijve. Kam informuar kolegët e mi për faktin se kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka zgjedhur të mos zbatojë një nen vendimtar të Marrëveshjes në lidhje me emrin e unifikuar të shtetit fqinj brenda dhe jashtë vendit, dhe ta quajë thjesht “Republika e Maqedonisë” brenda kufijve, diçka që shprehimisht është e ndaluar nga Marrëveshja”.

“Natyrisht, dua të theksoj se në sallë dhe në prani të të gjithë drejtuesve të NATO-s, ai nuk e ndoqi këtë taktikë dhe përdori emrin kushtetues të vendit të tij”, ka deklaruar Mitsotakis.

“Përtej kësaj, besoj se në një mënyrë apo në një tjetër udhëheqja e vendit fqinj do të kuptojë se kjo taktikë është krejtësisht kundërproduktive. Marrëveshjet duhet të respektohen. Është diçka që e theksova dje në samititn e NATO-s dhe që mendoj se e kuptojnë edhe të gjithë aleatët tanë.

Ne duam që Maqedonia e Veriut të ndërmarrë hapa drejt një qasjeje evropiane. Megjithatë, kjo presupozon respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe respektimin e marrëveshjeve që vendi ka nënshkruar. Besoj se në një mënyrë apo tjetër kjo është diçka që udhëheqja e Shkupit do ta kuptojë.

Në çdo rast, Greqia nuk do të zbulojë në këtë moment armët që ka në dispozicion për t’iu përgjigjur një këmbënguljeje të mundshme të lidershipit të vendit fqinj në këtë taktikë”, theksoi ai.