Misteri i medaljes së humbur zgjidhet, por ajo nuk përfundoi në xhepin e Trumpit
Është zbuluar e vërteta pas spekulimeve rreth medaljes së Noni Madueke në Kupën e Botës për Klube, mes thashethemeve se ajo mund t’i ishte marrë nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Madueke ishte pjesë e ekipit të Chelseat që fitoi turneun, por nuk mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së medaljeve.
Chelsea triumfoi ndaj Paris Saint-Germain me një fitore bindëse, pas së cilës Trump dhuroi trofeun për fituesit, por më pas refuzoi të largohej nga skena ndërsa lojtarët festonin.
Pas këtij momenti, në rrjetet sociale qarkulloi një video ku shihej presidenti amerikan duke marrë një nga medaljet dhe duke e futur në xhep, gjë që ngjalli shaka e aludime se ajo medalje i përkiste pikërisht Maduekes.
Megjithatë, sipas Daily Mail, kjo nuk është e vërteta. Medalja e Madueke nuk është marrë nga Trump dhe 23-vjeçari do ta marrë atë me postë në ditët në vijim.
Madueke nuk ishte pjesë e finales, pasi kishte marrë leje nga klubi për t’iu nënshtruar kontrolleve mjekësore përpara transferimit të tij të mundshëm te Arsenali.
Ai u fotografua në festivalin Wireless, duke ndjekur performancën e Drake përkrah Jadon Sancho dhe Carney Chukwuemeka, pikërisht në kohën kur finalja po zhvillohej në SHBA.
Kjo bëri që Madueke të mungonte edhe në festimet e egra të Chelseat pas fitores, të cilat, sipas mediave angleze, ishin të paharrueshme për lojtarët.


