Nga: Virgilio Pinera
Përktheu: Bajram Karabolli
Ka ndodhur shumë thjesht, pa kurrfarë ojnash. Për shkaqe që nuk kanë të bëjnë me rastin e treguar, populli vuante nga mungesa e mishit. Të gjithë u alarmuan dhe nisën vërejtje disi pak të hidhura, përderisa u shfaqën edhe disa mendime hakmarrjeje. Por, siç ndodh gjithmonë, protestat nuk i kapërcyen as kërcënimet e thjeshta dhe shpejt u pa që ai popull i pikëlluar nisi të përlajë vegjetale nga më të ndryshmet. Por, shoku Novator nuk ndoqi rregullin e përgjithshëm. Me qetësinë më të madhe iu fut mprehjes së një thike të madhe kuzhine, pastaj, menjëherë, uli pantallonat deri te gjunjët dhe preu një copë fileto të mrekullueshme në mollaqen e majtë. Pasi e pastroi mirë, e marinoi me kripë dhe uthull, e sistemoi – siç thuhet në gjuhën kulinare – në skarë dhe, më në fund, e kaurdisi në tiganin e madh të petullave të së dielës.
U ul në tavolinë dhe filloi të shijojë fileton e tij të mrekullueshme. Ndërkohë, dikush i foli te dera; ishte fqinji që vinte për t’i qarë ndonjë hall … Por, Novatori, me një gjest elegant, i tregoi fileton e shijshme. Fqinji, i çuditur, e pyeti se ku e gjeti dhe Novatori u kufizua duke i treguar thjesht mollaqen e tij të majtë. Gjithçka ishte e qartë. Ndërkohë, fqinji i tronditur e, njëherazi, i mallëngjyer, mbeti gojëkyçur, pastaj doli për t’u kthyer pas pak me kryetarin e komitetit. Ky i fundit i shprehu Novatorit dëshirën e tij të zjarrtë që qyteti i tij i dashur të ushqehej njësoj si Novatori, me forcat e veta, që do të thotë, me rezervat e mishit të tij, Më shkoqur, secili me mishin e trupit të vet.
Aty për aty kjo punë mori fund dhe pas entuziazmit të njerëzve të sjellshëm, Novatori shkon te sheshi kryesor i qytetit për t’u dhënë, sipas frazës së tij karakteristike, “masave një udhëzim praktik”. Kësisoj, atje bëri të ditur se çdo person do të priste nga mollaqja e tij e majtë dy fileto, tejet të barabarta, sipas një modeli allçie ngjyrë mishi që ai kishte varur aty, në një tel të shndritshëm. Dhe, këmbëngulte: dy fileto, jo një, sepse, nëse ai kishte prerë nga mollaqja e tij e majtë një fileto të mrekullueshme, ishte pikërisht se ashtu duhej, domethënë, që askush të mos mbetej me një fileto më pak.
Me t’u fiksuar këto pika, iu tha secilit të priste dy fileto nga mollaqja e majtë përkatëse. Ishte një spektakël madhështor, veç u kërkohej të mos dërgonin përshkrime larg. Përveç kësaj, u llogarit edhe koha që nevojitej për ta kënaqur qytetin nga përfitimi i mishit. Një anatomist i shquar parashikoi se një njeri me peshë mbi dyzet e gjashtë kile, pa llogaritur rropullitë e barkut dhe organet e tjera të pangrënshme, mund të hante 250 gramë mish në ditë, gjatë njëqind e dyzet ditëve. Veç ky kalkulim as që ia vlente. E rëndësishme ishte që secili mund të gëlltiste fileton e tij të shijshme.
Shpejt u dukën edhe shoqe që flisnin për të mirat që sillte ideja e shokut Novator. Për shembull, ato shoqe të cilat kishin përlarë gjinjtë e tyre, nuk ishin të detyruara të mbulonin zgavrën e kraharorit dhe veshja e tyre mund të fillonte pak më lart kërthizës e të zbriste më poshtë. Dhe, disa prej tyre, jo të gjitha, tashmë nuk mund të flisnin dot, ngaqë kishin ngrënë gjuhën e vet e cila, të thuash të vërtetën, qenkësh një gjellë monarkësh.
Në rrugë nisën të dukeshin skena nga më të lezetshmet: ja p.sh., dy shoqe të cilat kishin kushedi sa kohë që nuk mund të puthnin dot më, sepse kishin përdorur buzët e tyre në një gatim me fërgesa aq të shijshme sa s’kish më. Madje, kryetari i gjykatës nuk mundi ta firmoste dënimin me vdekje për një të dënuar, i cili kishte ngrënë mollëzat e gishtërinjve. Atëherë, ai, kryetari i gjykatës, si gjithë njerëzit shijehollë në të ngrënë (ashtu ishte vërtet kryetari i gjykatës), lëshoi atë frazën që u bë aq proverbiale: “Të lëpish gishtat”.
Pati edhe rebelime të vogla. Kështu, sindikata e punëtoreve axhustatore e çoi protestën e vet, më se formale, përpara autoritetit përgjegjës, i cili u tha se asnjë slogan nuk mund t’i bënte shoqet që t’i përdornin përsëri. Veç, këto ishin rebelime të pafajshme që kurrsesi nuk e ndërprenë konsumimin e mishit të tyre nga asnjë pjesë e fshatit.
Një nga ngjarjet më interesante të asaj periudhe të këndshme ishte prerja e copës së fundit të mishit të balerinit të qytetit. Ky, për respekt të artit të vet, kishte lënë për në fund gishtat e bukur të këmbëve. Fqinjët e tij kishin vënë re se qysh prej disa ditësh ai tregonte shenja të një shqetësimi të thellë. Tashmë atij i paskësh mbetur vetëm pjesa kockore e gishtit të madh. Atëherë ftoi miqtë e tij për t’i parë operacionin. Në mes të një heshtjeje të përgjakshme, preu porcionin e tij të fundit dhe, pa e vënë fare në zjarr, e hodhi në një zgavër që dikur kishte qenë goja e tij e bukur. Atëherë, të gjithë të pranishmit, papritur, u ngashëryen.
Por, ai do të vazhdonte të ishte gjallë, dhe kjo ishte e rëndësishme. Po në rast se …? A thua të ishte kjo arsyeja pse këpucët e balerinit tani gjendeshin në një nga sallat e Muzeut të Kujtimeve të Ndritura?
E pabesueshmja ndodhi kur njëri nga burrat më obesë të qytetit (peshonte dyqind kile) konsumoi gjithë rezervat e mishit të tij të disponueshëm, në një hapësirë kohe vetëm 15 ditore (ishte një grykës i jashtëzakonshëm, edhe pse organizmi i tij kërkonte sasi të mëdha). Pastaj, atë askush nuk mundi ta shihte më kurrë. Me sa duket, fshihej … Veç, nuk fshihej vetëm ai; shumë të tjerë filluan të bënin të njëjtën gjë.
Në këtë gjendje, një mëngjes, shoqja Përparime, kur i foli të birit, që po hante tërë babëzi tulin e veshit të majtë, dhe e pyeti se ku e kishte vënë nuk e di ç’gjë, nuk mori asnjë përgjigje. Bile kot iu lut dhe e kërcënoi. Eksperti, që ishte thirrur për të zhdukurit, arriti vetëm të gjejë një grumbull jashtëqitjesh, në vendin ku shoqja Përparime betohej e stërbetohej se paskësh qenë biri i saj i dashur, në çastin që ajo e kishte pyetur. Veç, këto shqetësime të vogla në asnjë mënyrë nuk mund ta minonin gëzimin e banorëve të qytetit.
Për çfarë mund të ankohej një popull që e kishte siguruar ekzistencën? Problem i madh ishte rendi publik i krijuar nga mungesa e mishit. A do të kapërcehej kjo vështirësi? Që popullsia qenkësh duke u fshehur në mënyrë progresive, kjo nuk kishte të bënte fare me aspektin qendror të çështjes, kjo ishte vetëm një pikë kulmore që nuk ndryshonte kurrsesi vullnetin e patundur të atyre njerëzve për ta zgjidhur me forcat e veta nevojën e të ushqyerit. Mos është rastësi ta quash pikë kulmore çmimin që kërkonte mishi për secilin? Por, do të ishte e mjerueshme të bësh ende kësi pyetjesh të papërshtatshme, sepse ai popull i arsyeshëm ishte duke u ushqyer shumë mirë.
Shënim i përkthyesit: E quaj një gjetje të mrekullueshme këtë tregim. A thua është shkruar enkas për ne shqiptarët që regjimi mizor komunist na privoi edhe të drejtën më elementare të njeriut: ushqimin. Gjithsesi, nuk besoj që një shtetas i Kubës, gjithashtu komuniste, të kishte racion një kile mish për familje (le të qenkësh kjo familje me dy apo me dymbëdhjetë anëtarë) në muaj. Tjetra: është tejet absurde të mendohet se në Shqipërinë komuniste dikush mund të shkruante dhe të botonte një tregim të tillë, siç ka bërë ky shkrimtar kuban.