Ekipi i FC Shkupit, vetëm pak ditë pasi ka njoftuar se ka ndarë rrugët me trajnerin Ernest Gjoka, dje në orët e mbrëmjes ka dalë me njoftim se trajner i ri i skuadrës do të jetë Matija Mirkov, i cili deri më tani kryente detyrën e trajnerit të portierëve, njofton Telegrafi.
Në njoftimin e mëtejshëm të skuadrës nga Shkupi që udhëhiqet nga pronar dhe sponsor nga Turqia, thuhet se ndihmës trajner i parë i Mirkovit do të jetë Boban Babunski, ndërsa ndihmës trajner i dytë është Minas Osmani.
Kujtojmë se trajneri shqiptar Ernest Gjoka te Shkupi erdhi pak para se të përfundojë sezoni i vitit të kaluar, duke zëvendësuar serbo-boshnjakun Zhizhoviç, ndërsa në sezonin e ri pas vetëm dy javëve të zhvilluara, ku mori një barazim dhe pësoi disfatë nga Gostivari, kryesia vendosi të largojë Gjokën.
Kujtojmë se skuadra e Shkupit këtë javë rikthehet në stadiumin e Çairit, i cili shkaku i punimeve nuk ishte gati për javën e parë kundër Voska Sport, ndërsa të dielën luhet derbi i javës dhe i qytetit të Shkupit, kundër Vardarit. /Telegrafi/