Site icon Telegrafi

Miratohet në parim Projektbuxheti i 2022-së, opozita e konsideron jo zhvillimor dhe pa vizion

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka prezantuar Projektbuxhetin për vitin 2022, i cili parashihet të jetë mbi 2.7 miliardë euro.

Murati gjatë shqyrtimit të këtij Projektligji në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfer duke treguar për mënyrën e mbushjes dhe ndarjes së buxhetit, ka thënë se përveç rritjes së buxhetit për disa dikastere, është paraparë vazhdimi i Programit të Ringjalljes Ekonomike përkundër faktit që deri diku ekonomia është rikoperuar.

“Ky Projektligj parasheh mbi 2 miliardë euro si shpenzime kurse të hyra janë mbi 2 miliardë euro. Kemi një ngadalësim lidhur më deficitin. Risi në këtë Projektligj parashihen përveç rritjes në disa dikastere ka edhe vazhdimin e ringjalljes ekonomike”, tha Murati.

Në anën tjetër opozita ka pasur kritika për Projektbuxhetin, për çka kanë thënë se nuk është zhvillimor.

Nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku ka pasur vërejtje për Projektbuxhetin, të cilin e quajti jo zhvillimor dhe pa vizion. Lushtaku po ashtu ngriti edhe çështjen e rritjes së borxhit publik dhe manipulimi siç tha ai me shifra për rritje ekonomike.

Lexo po ashtu Qeveria ndan 100 milionë euro buxhet për Ushtrinë e Kosovës, 40 milionë për Trepçën dhe Telekomin

“Ky Projektligj le shumë për të dëshiruar. Ka disa lëshime teknike. Qeveria thotë se ka ma pak ministri, por ju në tabela keni figura edhe ministritë që s’janë funksionale”, tha Lushtaku.

Derisa për këtë ka reaguar ministri Murati duke ka thënë se me anë të këtij Projektbuxheti ka një rënie të borxhit publik nga 32 për qind në 27 për qind.

Sa i përket rritjes ekonomike, Murati tha se rritja reale do të jetë 9.9 përqind derisa ajo nominale 12 për qind.

Deputeti Avdullah Hoti nga LDK-ja ngriti çështjen e shkurtimit të buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë, dhe ka pyetur ministrin Murati se a është buxhetuar Ligji për Pagat.

Për këtë ai mori përgjigje nga Murati, se nëse miratohet ky Ligj do të mbulojnë me anë të mjeteve nga siç tha ai kontigjenca me 55 milionë euro.

Lexo po ashtu Shtrenjtimi i çmimeve të produkteve ushqimore, miratimi i Buxhetit 2022 dhe ndarja shtesës financiare për pensionistët e rastet sociale – top ngjarjet e javës në ekonomi

Ish-ministri i Financave, Hoti ka kërkuar përgjegjësi edhe për projektet kapitale rrugore, atë për Podujevë, Gjilan dhe për Tetovë.

Deputeti Pal Lekaj nga AAK kritikoi ministrin Murati për mos përfshirjen e Ligjit të Pagave dhe shkurtimin e buxhetit disa dikastere siç tha ai me rëndësi. Lekaj po ashtu tha se me këtë buxhet nuk janë paraparë edhe zgjedhjet parlamentare të mundshme për vitin 2022.

Ai përmendi se në shumicën e ministrive ka shkurtime buxhetore, ndërsa për RTK-në 2.2 milionë euro më pak. Ministri Murati për çështjen e buxhetit të RTK-së tha se rreth 100 punonjës në këtë medium publik marrin paga më shumë se paga e një ministri. /Telegrafi/

Exit mobile version