Telegrafi

Miratohet kontrata për privatizimin e 85% të aksioneve të shoqërisë ARMO

Privatizimin e shoqërisë ARMO, Kryeministri Sali Berisha e ka vlerësuar mjaft transparente, të ndjekur në këto 18 vite në privatizimin e një aseti shtetëror.

“Ky është padyshim privatizimi më i suksesshëm në historinë e vendit dhe këtë e dëshmojnë të gjitha faktet. Në vitin 2004, për këtë kompani, me të gjitha anekset dhe aksesorët e saj, u ofrua gjithsej vlera 10 milionë dollarë. Ndërsa, pa anekset dhe aksesorët e tjerë, pa një seri pikash shpërndarjesh dhe magazinimesh, me të cilat është krijuar një ndërmarrje tjetër, kompania u privatizua me vlerën e 130 milion euro”.

Në anën tjetër konsorciumi i përbërë nga tre kompanitë “Anika Enterprises SA”, “Refinery Associates Of Texas”, “Mercuria Energy Group” kanë premtuar se kompania Armo do të hyjë së shpejti në një fazë të re të administrimit dhe zhvillimit të saj.

“Me një projekt investimi të parametrave modern në një shifër prej 240 milionë dollarë amerikanë për 5 vitet e para konsorciumi do të ndërmarrë hapa për ta sjellë produktin e dy rafinerive të Ballshit dhe Fierit në përputhje me kushtet dhe kërkesat më të mira të tregut”, ka pohuar për agjencinë e lajmeve NOA, Drejtori i Konsorciumit në Shqipëri, Rezart Taçi.

Sipas tij, investimi do të përfshijë rinovimin e teknologjisë, infrastrukturën teknike dhe atë profesionale, trajnim të punonjësve, reforma sociale duke vlerësuar padyshim përvojën e punonjësve të kompanisë “Armo”.

“Është parashikuar një paketë e rëndësishme për përmirësimin e parametrave të ambientit pasi në këto vite zona ku janë vendosur dy rafineritë ajo e Ballshit dhe e Fierit kanë qenë shumë problematike për ndotjen ambientale".

Ai detajoi se shifra prej 50 milionë USD do të investohet në këtë drejtim që brenda disa vitesh të kemi tregues optimalë.

“Studimi dhe projekti është përgatitur nga ekspertët më të mirë në këtë fushë të cilët do të ndjekin nga afër zbatimin e tij".