Liria dhe Vëllaznimi do të përballen sot në kuadër të xhiros së 12 të Superligës së Kosovës në futboll.
Kjo ndeshje veçohet edhe për rivalitetin jo vetëm mes dy klubeve, por edhe dy futbollistëve.
Bëhet fjalë për futbollistin e klubit prizrenas, David Domgjonin dhe Granit Osmanollajn e skuadrës gjakovare.
Dyshja janë miq të vjetër dhe sëbashku kanë djersitur edhe fanellën e Akademisë së Futbollit Shqiptar.
Në fakt, ata karrierën e kanë filluar te “Arpagjik’t, ku kanë luajtur për grupmoshat e reja të Lirisë.
Por, kjo është hera e parë që të dytë do të gjenden përballë njëri-tjetrit, gjersa Domgjoni luan në krahun e majtë të mbrojtjes, pikërisht në këtë krah do të kemi mundësi ta shohim në mesfushë, Osmanolljan.
E për Telegrafin kanë folur edhe protagonistët e derbit më të madh të rrafshit të Dukagjinit, të cilët janë të sigurt për fitore të skuadrave përkatëse.
“Vëllaznimi siç e dimë të gjithë është një ekip që ka traditë në futbollin kosovar, ashtu siç ka dhe Liria. Mendoj se nesër do jetë një ndeshje e vështirë për të dyja ekipet, por ne do mundohemi të kemi vazhdimësi për vet faktin që kemi objektiva madhore. Do të futemi në ndeshje për ta fituar atë pasi është koha dhe momenti i duhur që t’i tregojmë forcat tona ashtu siç kemi bërë kundër Llapit”, tha Domgjoni, i cili është huazuar në afatin kalimtar të qershorit nga klubi futbollistik i Tiranës.
Mbrojtësi 20-vjeçar më tutje Osmanolljat i ka uruar shumë suksese, por e ka paralajmëruar se në fushë do ta konsideroj si çdo kundërshtar ndërsa jashtë fushe si vëlla, madje, do ta qeras nëse Liria i rrëmben tre pikë.
Por, mesfushori 20-vjeçar i skuadrës së kuqezinjve nuk mendon si shoku i tij pasi që beson në fuqinë e bashkëlojtarëve.
Ai është i mendimit se skuadra gjakovare do të triumfojë, ashtu sikurse në ndeshjen e parë të kampionatit, kur para shikuesve të vetë ngadhënjyen me rezultat minimal prej 1-0.
“Së pari është shumë e vështirë të luash kundër skuadrës, e cila më ka mësuar ABC-ne e futbollit dhe më ka rritur si lojtar. Por, gjithsesi ky është futbolli, jemi profesionistë dhe duhet të mbarojmë punën tonë në mënyrë sa më të mire të mundshme. Ne nuk do të shkojmë në Prizren vetëm për të marrë pjesë, por do të futemi në ndeshje me besim të plotë se do të marrim tre pikë si në Gjakovë”, tha 20-vjeçari Osmanollaj.
Ai më tutje shokut të zemrës i ka uruar suksese në fushë dhe e ka këshilluar të ndërroj krahun sepse nuk ka dëshirë ta turpërojë para tifozëve prizrenas.
Theksojmë se ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Përparim Thaçi” dhe pritet të startojë në ora 14:00.
Ndryshe, Liria zë pozitën e tretë në renditjen e ligës elitare kosovare me 18 pikë gjersa Vëllaznimi gjendet në vendin e shtatë me 16 pikë. /Telegrafi/