Site icon Telegrafi

Ministrja e Financave në Shqipëri: Kosova zë 50% të eksporteve tona

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri, Delina Ibrahimaj deklaroi sot në Kuvend se Kosova zë 50 % të eksporteve të Shqipërisë, ndaj është me shumë rëndësi lehtësimi i procedurave doganore.

Ibrahimaj theksoi rëndësinë e miratimit nga Kuvendi të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe të kontrollit të hyrje-daljeve së mallrave”.

Ajo theksoi se “marrëveshjet e përbashkëta me Kosovën kanë për qëllim lehtësimin e qarkullimit të mallrave, tregtisë, kapitalit dhe njerëzve”.

“Për sa i përket tregtisë kemi 15.5 miliardë lekë mallra të importuar nga Kosova në 2021, ndërkohë që Shqipëria eksporton në Kosovë rreth 38 miliardë lekë mallra”, tha ajo.

Si përqindje krahasuar me vendet e CEFTA-s, Ibrahimaj theksoi se Kosova zë 50 % të eksporteve të vendit tonë, pra është një partner shumë i rëndësishëm tregtar.

“Marrëveshja synon harmonizimin gradual të legjislacionit të fushën e sigurisë ushqimore.
Ajo u nënshkrua në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në 26 nëntor 2021, në Elbasan dhe përveçse lehtëson procedurat e tregtisë mes dy vendeve, i jep gjithashtu Kosovës një dalje në det për arsye tregtare, duke i dhënë hapësirë për tregti në zonën doganore Durrës dhe Porto Romano. Me anë të kësaj marrëveshje ne presim të shtohet tregtia mes dy shteteve”, tha Ibrahimaj./ATSH

Exit mobile version