Site icon Telegrafi

Ministria e Jashtme e Shqipërisë thërret ambasadorin serb, kërkohen sqarime për deklaratat e Vulinit

Ambasadori i Serbisë, Slobodan Vukcevic është thirrur të martën në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, ku iu kërkuan sqarime në lidhje me deklaratat që zëvendëskryeministrit serb Aleksandar Vulin ka bërë, referuar vizitës dhe takimit të Kryeministrit Rama me diasporën shqiptare në Greqi.

Përmes një komunikate zyrtare Ministria e Jashtme thekson se deklaratat e Vulin janë në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërbejnë paqes në rajon.

“Deklarata provokuese e zyrtarit serb është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit. Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë”, vijon deklarata.

Në komunikatën MEPJ nënvizohet se pritet reflektim i menjëhershëm, “në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian”.

Aleksandër Vulin, zëvendës kryeministër në kabinetin e ri të qeverisë serbe, ka komentuar takimin e kryeministrit Edi Rama, me shqiptarët në Greqi.

“Shqipëria e madhe mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe”, u shpreh Vulin në një reagim kundër takimit të kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Greqi.

“Herën tjetër që qeveria e Greqisë të mendojë për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, le të kujtojë se si duket pritja e Edi Ramës në mes të Athinës. Atë që Rama nuk mundi ta përjetonte në Tiranë, e përjetoi në Athinë”, tha Vulin.

Zv/kryeministri serb kërkon nga Greqia që të formojnë një aleancë anti-shqiptare.

”Njohja e të ashtuquajturës Kosovë nga autoritetet greke dhe pranimi i Prishtinës në Këshillin e Evropës, do të ishte një kontribut i pamatshëm i Qeverisë së Greqisë dhe Dora Bakoyanis në krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shqipëria mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe, por edhe nga ju grekë të dashur, grekët tanë. Ju lutem mendoni për këtë”.- tha Vulin.

 

Exit mobile version