Ministria e Drejtësisë e konsideron të pa pranueshme ndërhyrjen e qëllimshme politike të Lëvizjes Vetëvendosje në procesin profesional dhe konform standardeve ligjore të provimit të Noterisë, duke e cilësuar këtë ndërhyrje si një përpjekje të hapur për të sabotuar një ndër reformat më të rëndësishme që mundësojnë qasje më efikase, më të shpejtë dhe sa më afër qytetarëve në shërbimet noteriale.
Përmes një njoftimi për medie, Ministria e Drejtësisë thotë se proces është i realizuar ekskluzivisht mbi Ligjin për Noterinë dhe aktet tjera përcjellëse, organizimi i provimit të Noterisë dhe vlerësimet e komisionit profesional janë çështje ekskluzivisht profesionale dhe jo politike.
“Shtimi i numrit të noterëve është në qendër të reformave të drejtësisë, për shkak se shërbimet noteriale aktualisht mungojnë në një pjesë të konsiderueshme të komunave të Republikës së Kosovës dhe qytetarët e vendit kanë nevojë për qasje të drejtpërdrejtë në këto shërbime sa më afër vendbanimit të tyre dhe me shpenzime sa më të vogla financiare. Një ndërhyrje e tillë e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë proces profesional, është në dobi ekskluzive të grupeve të interesit që për shkak të rrethanave të mungesës së numrit të mjaftueshëm të noterëve, kanë zhvilluar një praktikë të plotë të monopolit në shërbimet noteriale. Rrjedhimisht, Vetëvendosje, duke u përpjekur të nxisë sabotimin e këtij procesi profesional, në fakt, po merr në mbrojtje me qëllim akterë të caktuar që kanë përfituar miliona euro nga monopolet e tyre në fushën e Noterisë. Ministria e Drejtësisë i siguron qytetarët se është e vendosur për të realizuar në plotni reformën që synon rritjen e numrit të noterëve në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe në të gjitha komunitetet e saj pa dallim”, thuhet në njoftimin e MD-së.
Ministria shton se pas përfundimit të këtij procesi profesional të provimit të Noterisë, do të fillojë faza e rekrutimit të tyre në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe në monitorim të ngushtë nga partnerët tanë zhvillimor.
Në fund, Ministria e Drejtësisë e fton Lëvizjen Vetëvendosje që t’i japë fund kësaj tentative, sepse shembja e monopoleve është kërkesë e qytetarëve, kërkesë e partnerëve tanë zhvillimor dhe është në funksion të plotë të qasjes më të lehtë e më efikase në drejtësi.
Ndryshe, Vetëvendosje përmes një konference për media, ka shprehur shqetësimin lidhur me procesin e rekrutimit të noterëve, duke theksuar se ky proces është i kompromentuar dhe se qëllimi i tij është dhënia e licencës për persona të afërt me ta. /Telegrafi/