Site icon Telegrafi

Ministri Rrustem Berisha dhe Robert Karem bisedojnë për transformimin e FSK-së

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha dhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, kanë takuar asistentin e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Robert S. Karem.

Berisha me këtë rast falënderoi SHBA-të për ndihmën e gjithanshme për FSK-në si me angazhim të personelit, po ashtu edhe për bashkëpunimin shumë intensiv dhe të gjithanshëm.

Ministri Berisha foli edhe për standardin e lartë që ka FSK, përgatitjen profesionale si dhe angazhimet e shumta.

“Pas 19 vjet çlirim dhe 10 viteve të shpallje së pavarësisë, si dhe rekomandimeve të dala nga RSSSK, qytetarët dhe institucionet presin përfundimin e procesit të transformimit të FSK-së në FAK. Ky proces do të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe në koordinim me partnerët strategjik, proces i cili do të jetë shumë transparent. FAK nuk paraqet rrezik për askënd sepse është forcë e gjithë qytetarëve dhe do të kontribuon në rritjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë”, tha ministri Berisha.

Ndërkaq, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant, Rrahman Rama nga ana tij theksoi se FSK është forcë profesionale, me koncept perëndimor dhe e mbështetur në koncepte dhe doktrinën amerikane.

Ai theksoi përfaqësimin e mirë në përqindje të komuniteteve pakicë dhe kryerjen me sukses të detyrave që dalin nga misioni aktual.

Asistenti i Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Robert S. Karem foli po ashtu për interesimin e madh që  SHBA-të po i kushtojnë zhvillimeve në fushën e sigurisë në Ballkan dhe më gjerë.

Me këtë rast ai vlerësoi lartë përkushtimin që procesi i transformimit të FSK-së të jetë transparent dhe mbi baza kushtetuese dhe me hapa të koordinuar me SHBA-të dhe partnerët tjerë strategjik. /Telegrafi/

 

Exit mobile version