Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe drejtori gjeneral i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), Ary Naim kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për ofrimin e ekspertizës teknike të IFC-së në draftimin e projektligjit për institucione mikrofinanciare në Kosovë.
Më konkretisht, Ministria njofton se ky bashkëpunim parasheh mbështetjen e Qeverisë së Kosovës në hartimin e projektligjit për mikrofinanca, i cili pritet të adresojë problemet e kahmotshme juridike-pronësore të këtij sektori.
“Ndërtimi i një kornize rregullative do të mundësojë që institucionet mikrofinanciare të vendosen në një pozitë më të mirë për të zgjeruar gamën e shërbimeve të tyre, e në të njëjtën kohë ndërmarrjeve mikro të ekonomive familjare të ju ofrohet qasje më e lehtë në shërbime financiare”, thuhet në komunikatën për media.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve vlerëson lartë mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë dhe mbetet e përkushtuar në fuqizimin e sektorit privat, si faktor kyç në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit”. /Telegrafi/