Milani po planifikon një strategji për të siguruar transferimin e përhershëm të Joao Felix nga Chelsea gjatë verës, në një lëvizje e cila do të përfshinte shitjen e të paktën njërit prej yjeve kryesor të ekipit.
‘Rossonerët’ e transferuan Felix si huazim në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit, por kimia e menjëhershme mes lojtarit dhe klubit, ka bërë që Milani të konsiderojë mundësinë që ta mbajë 25-vjeçarin përtej këtij sezoni.
Drejtuesit e klubit italian janë në dijeni se Chelsea do t’i komplikojë negociatat për shkak të kërkesave të tyre të larta, por Gazzetta dello Sport ka raportuar se lëvizja e parë do të ishte që të zgjatej rinovimi i Felix edhe për një sezon.
Por, kjo do të bëhej duke përfshirë gjithashtu edhe opsionin e obligimit të blerjes së kartonit për 40 milionë euro.
Kjo do t’i dhuronte kohë Milanit që të sigurojnë fondet e nevojshme për blerjen e Felix, një proces i cili do të bëhej më i lehtë nëse vendosin ta shesin njërin prej Theo Hernandez ose Rafael Leao.
GdS tutje shpjegon se që të dy lojtarët janë nën vëzhgimin e klubit sa i përket perfromancave të tyre, me reprezentuesin francez që është i përfshirë në negociata për rinovimin e kontratës.
Gjiganti italian do të ishte i hapur për ta lejuar largimin e të dyve në rast se arrijnë ofertë të përshtatshme, kjo pasi do të kishin përfituar para të mjaftueshme për të financuar blerjen e Felix, por edhe të transferimeve të tjera./Telegrafi/