Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka reaguar pas paralajmërimit të kryeministrit Albin Kurti për rritjen e koeficientit për një njësi nga Ligji i Pagave për punonjësit publik.
Miftaraj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se si IKD nuk janë kundër rritjes së pagave, por siç ka shkruar: “Miratimi i ligjit të pagave kishte kaluar përmes një procesi të gjatë të konsultimeve publike dhe qëllimi bazë i këtij ligji ndër të tjera ishte edhe mbyllja e mundësive që pagat në sektorin publik të keqpërdoren për fushata elektorale”.
Sipas tij, neni 42 i Ligjit e kufizon mundësinë e qeverisë apo partive në pushtet që të ndryshojnë strukturën, komponentët apo nivelin e koeficienteve tanimë të përcaktuar në katalogun që është pjesë e ligjit.
“Dhe propozimi i qeverisë është një vendim që shkatërron parimin e vendosur në nenin 42, duke mbi vendosur strukturë të re, duke ndryshuar komponentën dhe nivelizimin e përcaktuar në këtë nen dhe katalogun e koeficienteve, dhe jo duke e përcaktuar vlerën e koeficientit, ashtu siç thot Ligji”, ka shkruar Miftaraj.
Tutje ai ka thënë se ky propozim është një propozim i njëanshëm, të cilit nuk i ka paraprirë dialogu social si dhe është një propozim jo transparent.
“Në bazë të ligjit për Paga, Ligjit për Ndarjet Buxhetore dhe Ligjin për Buxhetin pagat në sektorin publik nuk mund të jenë më pjesë e vendimeve të qeverisë por ndërlidhen me shkallën e zhvillimit ekonomik, kështu që veprimet e qeverisë janë të kundërligjshme dhe me këtë edhe keqpërdorim i autoritetit për përfitime elektorale”, ka shkruar ndër të tjera Miftaraj në Facebook. /Telegrafi/