Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka deklaruar se komentimi i vendimeve gjyqësore nga ana e partive politike është ndërhyrje e drejtpërdrejt në pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Këtë deklaratë Miftaraj e ka bërë në rrjetin social Facebook, pasi zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje u deklaruan kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prizren, e cila të martën e dënoi me tri vjet burgim deputeten e kësaj partie, Jetmire Vrenezin, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Komentimi i vendimeve gjyqësore (të drejta, të padrejta, të bazuara, të pabazuara) nga ana e partive politike është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit gjyqësor”, ka shkruar Miftaraj.
Sipas tij, Komisioni Evropian përmes raportit të progresit jo rastësisht i potencon çdo vit si probleme serioze politizimin dhe ndërhyrjet e politikës në sistemin gjyqësor në Kosovë.
Tutje, ai ka thënë se vettingu nuk ka alternativë, por se me deklarata të tilla politike, partia në pushtet nuk i ndihmon fare kërkesës popullore dhe nevojës për vetting në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, “përkundrazi po e dëmton atë rendë”.
“IKD në vazhdimësi ka kërkuar nga partitë politike që mos të propozojnë në lista për deputetë, kandidatë të akuzuar për korrupsion. Andaj, kur sot iu dënohen deputetët për vepra penale korruptive, llogari duhet kërkuar nga kryetari i partisë, kryesia e partisë dhe edhe vetë këshilli i përgjithshëm. Qeverisja me duar të pastra nuk matet me deklarata politike por me veprime”, ka përfunduar Miftaraj.
Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me tri vite burgim deputeten e VV-së, Jetmire Vrenezin, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas aktakuzës, Vernezi sa ishte inspektore e ndërtimit në Komunën e Prizrenit, së bashku me Islam Thaqin, ish-drejtor i Inspektoratit, kanë rrënuar aneks-objektin e ‘Abi Çarshia’, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim. Kështu dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, është në vlerë prej 69,729.66 euro.
Lidhur me këtë ka reaguar ish-kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka. Në një shkrim llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se nga sot rrënimi i objekteve pa leje në Kosovë duhet të trajtohet si “keqpërdorim detyre”.
Ndërsa, Urim Vokshi, avokat i deputetes Vernezi, ka thënë se është i zhgënjyer me vendimin e gjykatës.
“Në cilësi të avokatit theksoj se nga shkresat e lëndës dhe provat e administruara rrjedh se nuk janë plotësuar elementet e figurës së veprës penale në këtë rast. E njëjta është dënuar për nxjerrjen e një konkluzioni për rrënim të cilin ka pasur obligim ligjor ta nxjerrë si inspektore e lëndës”, ka shkruar Vokshi në Facebook. /Telegrafi/