Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka lansuar Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë ku pritet të bëhet subvencionimi i faturave të rrymës për disa kategori të shoqërisë.
Në hyrje të prezantimit, kryeministri Albin Kurti tregoi se fokusi i këtij programi do të janë personat me aftësi të kufizuara, prindërit vetushqyes dhe pensionistët që jetojnë vetëm.
“Programin që po e prezantojmë sot e që do të zbatohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka në fokus subvencionimin e faturës së energjisë për familjet që kualifikohen si konsumatorë të cenueshëm të energjisë”, tha Kurti, shkruan Telegrafi.
“Fokus të veçantë në këtë program do të kemi grupe të caktuara të shoqërisë, si personat me aftësi të kufizuara, prindërit vetushqyes dhe pensionistët që jetojnë vetëm”, shtoi ai.
Sipas tij, ky program është një vjeçar dhe se do të subvencionohen konsumatorët që të hyrat mujore janë nën 150 euro për anëtarë të familjes.
“Ky program është një vjeçar, i cili fokusohet në subvencionimin e faturave të konsumatorëve të cenueshëm, ku të hyrat mujore janë nën 150 euro për anëtarë të familjes”, përfundoi Kurti.
Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati theksoi se ky është një program i mbështetur në kuadër të Fondit IPA.
“Është një program që mbështetet në kuadër të pakos së masave të Bashkimit Evropian në kuadër të fondeve të IPA-së, i cili do të na shërbej si pilotim për të dizajnuar një program që do të jetë i afatgjatë”, theksoi Murati.
Ndërkaq, sa i përket formularit të aplikimit, ministri i Financave tha se gjatë ditëve në vijim do të dalin me njoftime. /Telegrafi/