Site icon Telegrafi

Mexhiti: Sot fillon procesi i rrënimit të perandorisë së kumarit të ndërtuar nga ana e qeverisë së kaluar

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti përmes një postimi në Facebook thotë se “sot fillon procesi i rrënimit të perandorisë së kumarit”. Ai i referohet vendimit që t’u merren licencat dy kompanive për organizimin e lojërave të fatit.

“Sot fillon procesi i rrënimit të perandorisë së kumarit të ndërtuar në shoqërinë tonë nga ana e qeverisë së kaluar. Me marrjen e licencave për dy kompani bixhozi dhe ndalimin e organizimit të lojërave të fatit nga ana e tyre, Qeveria e re sot fillon me realizimin premtimit se do ta heqim kumarin nga shtëpitë tona, nga familjet tona, nga fëmijët tanë!”.

“LLOTARIA sot është kthyer në sinonim të korrupsionit dhe pastrimit të parave të nëntokës ruso-serbo-bullgare përmes përhapjes masive të kazinove, lojërave të fatit dhe bastoreve. Këtë sëmundje nuk është e lehtë ta eleminojmë. Por, duke filluar me sot, ne do ta luftojmë përmes institucioneve dhe përmes ligjeve. Sepse e kemi për detyrë dhe për obligim përpara prindërve tanë, përpara fëmijëve tanë, përpara shoqërisë tonë”, ka shkruar Mexhiti.

Ndryshe, ministrja e financave, Gordana Koçoska Dimitrievska paraprakisht njoftoi se procedura është në Qeveri, ndërsa theksoi se dy kompanitë në fjalë nuk kanë paguar detyrime dhe taksa mbi të ardhurat personale nga fitimet e paguara.

Kontrolli i jashtëm i Drejtorisë së të Ardhurave Publike ka konstatuar se njëra prej kompanive nuk ka paguar taksa që nga korriku i vitit 2022, kur është themeluar. Nuk dihet shuma për të cilën është dëmtuar buxheti.

Exit mobile version