Udhëzimet e përditësuara të Metas për gjuhën e urrejtjes lejojnë përdoruesit t’i quajnë njerëzit të sëmurë mendorë, bazuar në seksualitetin ose identitetin e tyre gjinor.
Udhëzimet, të cilat u përditësuan të martën, ende nuk lejojnë përdoruesit e Facebook, Instagram ose Threads të fyejnë njerëzit bazuar në shëndetin e tyre mendor – përveç në këtë skenar të ri, specifik.
Udhëzimet tani thonë: “Ne i lejojmë pretendimet për sëmundje mendore ose anomali kur bazohen në gjini ose orientim seksual, duke pasur parasysh diskursin politik dhe fetar rreth transgjinorëve dhe homoseksualëve”.
Tani, Stonewall, shoqata më e madhe LGBT+ në Mbretërinë e Bashkuar ka njoftuar se ka kërkuar një takim me Metan për të ngritur shqetësimet e saj, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
“Urrejtja dhe dezinformimi në internet dëmton mënyrën se si shoqëria i shikon dhe trajton grupet e margjinalizuara dhe minon kohezionin shoqëror”, tha shefi ekzekutiv i Stonewall, Simon Blake.
“Qasja e Metas e vendos politikën mbi njerëzit kur shumë janë tashmë të shqetësuar për toksicitetin e diskursit online, duke rrezikuar më tej ndarjen në vend që të nxisë komunitetin”, shtoi ai.
Bëhet e ditur se përditësimi i udhëzimeve vjen pasi Meta ndryshoi mënyrën se si moderon fjalimin në platformat e saj.
Shefi ekzekutiv i kompanisë, Mark Zuckerberg njoftoi të martën se kompania do të heqë kontrollet e fakteve të palëve të treta.
Rregullat që ndalojnë fyerjet në lidhje me pamjen e një personi bazuar në racën, përkatësinë etnike, origjinën kombëtare, aftësinë e kufizuar, përkatësinë fetare, kastën, orientimin seksual, seksin, identitetin gjinor dhe sëmundjet serioze janë hequr gjithashtu.
“Platformat e Metas janë ndërtuar për të qenë vende ku njerëzit mund të shprehen lirshëm. Kjo mund të jetë e çrregullt”, tha kompania në një deklaratë. /Telegrafi/