Site icon Telegrafi

Meta ia mbyll mijëra profile të rreme partisë së Aleksandar Vuçiqit – u shpenzuan mbi 150 mijë euro në propagandë pro-qeveritare

Meta njofton se ka mbyllur mijëra profile të rreme të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram.

Sipas raportit të saj për tremujorin e fundit të vitit 2022, kompania thekson se janë mbyllur 5,374 profile dhe 12 grupe në Facebook si dhe 100 llogari në Instagram.

Duke iu referuar deklaratave të Meta, SNS-ja ka shpenzuar mbi 150 mijë euro për propagandë pro-qeveritare në këto dy rrjete sociale.

Përveç Serbisë, kompania thotë se ka çaktivizuar llogari të rreme pro-qeveritare edhe në Kubë dhe Bolivi, të cilat u përdorën për të diskredituar opozitën dhe për të publikuar informacione “të dashura” për pushtetarët.

Këto llogari funksiononin në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra në secilin vend dhe përmbajtja e tyre arriti në qindra mijëra njerëz, përpara se të pezulloheshin. Secila prej tyre operonte në platforma të shumta të medieve sociale.

“Ky rrjet në Serbi i lidhur me zyrtarët e partisë së Aleksandar Vuçiqit, i njohur si ‘ekipi i internetit’, përdorte profile të rreme dhe publikime të koordinuara. Ata kishin për synim audiencën vendase në shumë shërbime të internetit, duke përfshirë Facebook, Instagram, Twitter dhe YouTube si dhe mediet lokale, për të ‘krijuar një perceptim të mbështetjes së gjerë dhe autentike për presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe SNS-në'”, tha Meta në një deklaratë.

Lexo po ashtu Twitter zbulon emrat e dhjetë mediave që kontrollohen nga Qeveria e Serbisë

Rrjeti bot-ve dhe troll-ve të kësaj partie kishte 5,374 llogari, 12 grupe në Facebook dhe 1,060 profile në Instagram. Siç deklaron Meta, partia e Vuçiqit shpenzoi mbi 150 mijë euro për propagande pro-qeveritare në Instagram dhe Facebook, të cilat paguheshin edhe në dollarë.

Meta shton se rrjeti i SNS funksiononte ndryshe nga “fermat e troll-ve” tradicionale, të zbuluara më parë në Rusi dhe që menaxhoheshin nga një qendër e vetme, pra një zyrë apo një grup zyrash. Ndryshe nga ai sistem, operacioni i SNS-së bazohej në individë që “publikonin” në të gjithë Serbinë.

“Personat pas këtyre aktiviteteve përdorën llogari të rreme, disa prej të cilave u identifikuar dhe u mbyllën nga sistemi ynë automatik përpara se të fillonte hetimi. Nga profilet e rreme kanë menaxhuar grupe, komentuar dhe kanë pëlqyer përmbajtjen, në mënyrë që të duket se [Aleksandar Vuçiq] është më popullor se sa është”, thekson kompania.

Këto profile postuan edhe përmbajtje duke kritikuar opozitën, ndërsa përveç rrjeteve sociale, komentet në mbështetje të pushtetit u bënë drejtpërdrejt edhe në faqet e medieve.

Lexo po ashtu Twitter pezullon llogaritë e politikanëve në Serbi, shumica deputetë të partisë së Vuçiqit

Meta thekson se ky operacion në internet është koordinuar nëpërmjet një aplikacioni që lejonte lënien e komenteve në faqe të medieve të ndryshme dhe njëkohësisht kyçjen në llogari të rrjeteve sociale. Kompania e kishte bllokuar këtë aplikacion në vitin 2020, por përdorimi i tij vazhdoi të bënte komente në faqet e medieve dhe platformat të tjera.

Po ashtu, në vitin 2020 rrjeti social Twitter kishte mbyllur mbi 8 mijë llogari të rreme pro-qeveritare në Serbi. Në gusht 2021, kishte identifikuar disa media në Serbi “që bashkëpunojnë me Qeverinë e Serbisë”. /Telegrafi/

Exit mobile version