Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se 14 maji, data kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme lokale, do të jetë dita e “dërrmimit të regjimit monist në vend”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shprehet se katër vitet e pushtetit vendor “do të marrin fund përgjithmonë”.
“14 Maji do të jetë dita e dërrmimit të regjimit monist në Shqipëri. 4 vitet e pushtetit vendor monist dhe të paligjshëm si as në vendin më prapambetur të Afrikës do të marrin fund përgjithmonë. Partia e Lirisë do garantojë jo vetëm rikthimin e pluralizmit në këshillat bashkiakë, por do të jetë fuqia kryesore e zërit të qytetarëve që do zbatojë Llogaridhënien pa asnjë kompromis me interesin publik dhe qytetar”, tha Meta.
“Të shtunën në Konventën Kombëtare zgjedhim ekipin drejtues që do të udhëheq Partinë e Lirisë drejt Fitores të padiskutueshme. Do të jetë së pari triumfi i lirisë të qytetarëve të nëpërkëmbur, të vjedhur, të intimiduar dhe të padëgjuar në këto 4 vitet e pushtetit absolut monist të Rilindjes”, shkruan Meta në Facebook. /Telegrafi/