David De Gea thuhet se ka tërhequr interesimin e Al-Nassr dhe Inter Miamit, klube të cila kanë shprehur gatishmërinë për të pasur në radhët e veta portierin spanjoll i cili është pa klub që prej largimit nga Manchester United.
Sipas mediumit anglez The Sun, De Gea është i prirur të refuzojë ofertën e arabëve mes thashethemeve që sugjerojnë se ai po favorizon një kalim në Amerikë, më saktësisht tek Inter Miami.
Raporti shton se ish-portieri i Manchester United, De Gea, ka refuzuar një ofertë prej 500 mijë eurosh në javë nga Al-Nassr. Besohet se gruaja e lojtarit, këngëtarja dhe aktorja spanjolle Edurne, nuk dëshiron të transferohet në shtetin e Gjirit.
Në vend të kësaj, 33-vjeçari thuhet se është i interesuar të bashkohet me Messin në Inter Miami, i cili po luan së bashku me ish-bashkëlojtarët e tij tek Barcelona, Sergio Busquets dhe Jordi Alba.
De Gea dikur konsiderohej si portieri më i mirë në botë dhe ai ka luftuar për të gjetur një shtëpi të re pas rënies së nivelit të paraqitjeve të tij në vitet e fundit.
Një kalim në Spanjë tek ekipi i Valencias është një tjetër opsion, por situata e tyre financiare do të kishte sjellur probleme në aspektin e pagës.
Madje ka pasur zëra që e lidhnin atë me një rikthim ‘shokues’ në “Old Trafford”. United mund të mbetet pa Andre Onanan në janar, nëse kamerunasi ftohet për të luajtur në Kupën e Kombeve të Afrikës. Me Altay Bayındır të papërvojë dhe veteranin Tom Heaton në stol, Erik ten Hag mund të kërkojë të rikthejë de Gean në një marrëveshje afatshkurtër.
De Gea sigurisht që ka ruajtur lidhjet me Manchester dhe United, teksa muajin e kaluar ai u kthye në qytetin e Mançesterit për të kaluar kohë me Bruno Fernandes dhe Sergio Reguilon. Destinacioni i tij i radhës është për debat, por një ribashkim me Ronaldon në Arabinë Saudite duket i pamundur./Telegrafi/