Futbollisti i Koresë së Jugut, Son Jun-ho hodhi poshtë me lot të mërkurën akuzat e autoriteteve kineze se ai ishte përfshirë në trukime ndeshjesh dhe ryshfet ndërsa luante në vendin aziatik.
Son, i cili ishte anëtar i Shandong Taishan në Kinë nga viti 2021 deri në 2023, pretendon se ka pranuar se ka marrë ryshfet nën presion, raporton Reuters.
Pas një hetimi dyvjeçar për lojërat e fatit dhe trukimet e ndeshjeve, si pjesë e një fushate kundër korrupsionit, Shoqata Kineze e Futbollit (CFA) pezulloi për jetë mesfushorin Son dhe 37 lojtarë të tjerë dhe pesë zyrtarë të futbollit. Kinezët i kanë dërguar FIFA-s dokumentet për pezullimin e Sonit. Korea Times shkruan se nëse FIFA e zbaton ndalimin në të gjithë botën, karriera e Sonit do të përfundojë.
Ai pranoi të mos fliste për ndalimin e tij dhjetë mujor në Kinë, i cili ishte kusht për lirimin e tij. Ai u kthye në shtëpi në mars, më pas nënshkroi me Suwon të Koresë së Jugut, i cili tani është ndërprerë për shkak të pezullimit të Son. Ai ka theksuar se nuk është keqtrajtuar gjatë paraburgimit, por kushtet në të cilat është mbajtur i ka cilësuar si të vështira.
Ai tregoi se çfarë ndodhi pasi fillimisht mohoi akuzat: “Më treguan në celular fotot e vajzës dhe djalit tim, më thanë: ‘Çfarë fshehën fëmijët tuaj që po ua bëni këtë? Çfarë do të ndodhë me fëmijët nëse të sjellim edhe gruan tënde, a nuk mendon se fëmijët e tu do të donin që babai i tyre të rrëfehej dhe ne do t’ju lëmë të shkoni?”.
“Unë kurrë nuk kam qenë i përfshirë në trukime ndeshjesh. E vetmja dëshmi që ata kanë është rrëfimi im i rremë që kam bërë me detyrim”, pohoi Son, i cili u përlot para mediave.
“Ata bënë akuza të çmendura. Ata kërcënuan se nëse nuk i pranoja akuzat, do të arrestohej edhe gruaja ime dhe do të fillonte një hetim”, shtoi futbollisti koreano-jugor, i cili ka 20 paraqitje për Korenë e Jugut, me të cilin ka luajtur në Kupën e Botës 2022 në Katar. Që kur shpërtheu skandali, ai ka humbur vendin e tij në kombëtare.
Më herët në karrierën e tij ai luajti për disa klube të Koresë së Jugut. Sot, Transfermarkt vlerëson vlerën e tij në një milion euro. /Telegrafi/