Sikur perandori Josephi i II-të (populli) do ta arsyetonte tamam epitetin e Mbretit të Muzikës, nuk do të manipulohej nga Salieri. Kështu, Mozarti në të gjallë do ta shijonte famën, që iu bë e përjetshme pas vdekjes së tij. Salieri nuk do të ishte ky Salier. E, as Tahir Berisha nuk do ta thoshte nëmën e madhe: “U bofsh e mos paç ku”!?
Në fillim të shekullit XVI, në Romë lindi një histori interesante mes dy statujave antike, që nga banorët u quajtën Paskuino dhe Marforio. Këto statuja “flasin” me njëra-tjetrën, përmes mesazheve satirike që qytetarët i vendosin tek to. Statujat që njihen edhe si “Zëri i Popullit”, godasin dukuritë negative të vendit. Ato dëshmojnë guximin, talentin, sensin e humorit dhe prirjen për ndryshime të popullit italian.
Kështu, për shembull, kur Napoleon Bonaparti plaçkiti nga muzetë dhe kishat e Italisë veprat më të mira të artit – për t’i dërguar ato në Paris – Marforio pyet nëse është e vërtetë që të gjithë francezët janë hajdutë. Paskuino ia kthen: “Jo të gjithë, por ‘buona parte’ (një pjesë e mirë e tyre)”! E, kur Hitleri më 1938 e viziton Romën, statujat “thanë”: “E mjera Romë e bërë nga mermeri, të kanë veshur me karton që të admirohesh nga një piktor”!
Deri në shtatë milionë njerëz janë vrarë nga Luftërat e Napoleonit (1803–1815), ndërsa mbi 60 milionë gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1945) të nxitur nga Hitleri. I pari pretendonte se e njeh artin, i dyti madje se e krijon atë. Por, edhe njëri e edhe tjetri mbahen mend si dy prej më mizorëve në historinë e njerëzimit.
KUSH VRET?
Kur Napoleoni ishte 18 vjeç, në vitin 1787, në Operën e Parisit ka mundur ta shohë premierën e një vepre të Antonio Salierit. Është fjala për operën “Tarare”, me libretin e një francezi të veçantë, Pierre-Augustin Caron de Beaumarchais – i cili kishte shkruar edhe komedinë “Martesa e Figaros”, që për Napoleonin cilësohej si “Revolucioni në aksion”. Salieri ishte një nga kompozitorët më të njohur të kohës së tij. Ndërsa, Beaumarchais ishte edhe më i veçantë – një person me prirje të rralla eklektike: orëndreqës, shpikës, dramaturg, muzikant, diplomat, botues, kopshtar, tregtar armësh, satirist, financier, revolucionar… Meqë shkëlqente në çdo fushë, cilësohej gjeni nga miqtë dhe nga adhuruesit. E, në anën tjetër, për xhelozët dhe armiqtë ishte vrasës, pasi akuzohej se kishte mbytur dy gra të tij për t’ua marrë pasurinë!
Por, a mundet të jetë vrasës një gjeni, një artist, një intelektual? A mund të jetë vrasës Salieri apo Beaumarchais, siç ishin kuazi-artistët Napoleoni dhe Hitleri?
Këtë temë e trajton një nga poetët më të mëdhenj, jo vetëm të Rusisë, Alexander Sergeyevich Pushkin. Në vitin 1830, Pushkini shkruan dramën e shkurtër poetike, “Mozarti dhe Salieri”. Në këtë dramë, Wolfgang Amadeus Mozart thotë se gjeniu dhe keqbërësi janë dy gjëra shumë të ndryshme. Beamurchais ishte gjeni, siç ishte ai dhe vet Salieri. E, të tillët nuk mund të vrasin.
Këtë mendim e kishte Mozarti. Por, e vërteta është se gjeniu di të jetë naiv. Dhe, i tillë del ai – sipas Pushkinit – meqë helmohet nga Salieri që e perceptonte si person të dëmshëm që do të linte në hije të gjithë kompozitorët e tjerë, e sidomos atë. Të vrasësh është normale për të. Madje, thuhej se edhe Michelangelo – një prej artistëve më të mëdhenj të Renesancës – kishte vrarë një të ri, kot, për ta studiuar anatominë e një trupi.
Por, kjo nuk mund të jetë e vërtetë! Sepse, vet Beaumarchais ishte i kujdesshëm ndaj familjes dhe miqve. Michelangelo ishte krijues – ndërtues i Vatikanit. Vrasës ishte Napoleoni. Ishte Hitleri që vrau për së vdekuri edhe libretistin hebre të Mozartit, Lorenzo Da Ponte! Tony Blair dhe Bill Clinton janë rokerë! Rokerë nuk janë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, që i “bashkoi” më 2013 një festival filmi në Prizren e ku, si shumë të tjerë, nuk e panë asnjë film! Ndërsa, Salieri… thjeshtë nuk ishte gjeni!
E VËRTETA E MUNDSHME!
Se, a ishte e vërtetë historia e vrasjes së Mozartit dhe Salierit, këtë pakkush e beson. Por, është një version i mundshëm i fatit të një gjeniu të rrethuar nga mediokrët që nuk e kuptojnë e as nuk e pranojnë vlerën e tij. Ky ka mundur të jetë vet fati i Pushkinit, poetit më të madh rus të kohës, veprat e të cilit censuroheshin nga sistemi perandorak (për shembull drama “Boris Godunov”).
Sidoqoftë, Salieri sot ka më shumë vlerë si vrasës i Mozartit, sesa si miku i tij! Cilado qoftë e vërteta, për njerëzimin është më i rëndësishëm versioni që frymëzon gjeneratat e ardhshme. Shembull për këtë është historia e Skocisë!
“Do t’ju tregoj për William Wallacen. Historianët anglezë do të thonë se jam gënjeshtar. Por, historia shkruhet nga ata që i varin heronjtë”. Me këta rreshta fillon filmi “Braveheart”, një film që flet për dashurinë dhe patriotizmin. Personazhi kryesor, William Wallace, martohet në fshehtësi për të shmangur dekretin anglez të quajtur “Prima Nocta” (që natën e parë me gruan e tij ta kalonte feudali pushtues anglez). Pasi ky ligj nuk përfillet, gruaja e tij vritet dhe kjo vrasje shënon fillimin e kryengritjes skoceze për pavarësi dhe lindjen e mitit Wallace.
Filmi ka dhjetëra gabime dhe keqinterpretime të rrethanave historike. Në fakt, dëshmi të sakta për këtë hero – pos një përralle nga Harry i Verbër – nuk ka. E, nuk ka dëshmi as për Prima Noctan! Por, skocezët kanë arsye ta vlerësojnë më shumë një skenar filmi sesa librat e historisë. Sepse, filmi shpërfaq historinë që atyre ua ktheu dinjitetin dhe që i çliroi nga Anglia. Këtë nuk ka mundur ta bëjë një vagabond i rëndomtë apo një argat që u kishte shërbyer dikur pushtuesve!?
E vërteta është pra ajo që njeriu e beson! Andaj, William Wallace mbetet një burrë mbi dy metra i gjatë, që vret qindra njerëz përnjëherë dhe që djeg anglezët me zjarrin e syve!
LINDJA E MITIT
Dyshimet se Mozarti është helmuar, kanë nisur që nga Viti i Ri 1791. Në një nekrologji të publikuar në “Musikalische Wochenblatt” të Berlinit, thuhet se Mozarti ka vdekur dhe se ishte i sëmurë qëkur u kthye nga Praga, ku dha premierën e operës me dy akte, “La clemenza di Tito”! Meqë trupi i tij thuhej se fryhej, u dyshua se kjo ndodhte nga helmimi.
Pos kësaj, edhe Mozarti besonte se do të helmohej. Kështu, kur punonte – mbase kryeveprën e tij – “Rekuiemin” (i cili sipas Pushkinit ishte vdekja që e ndiqte), i tha gruas se nuk do ta ketë gjatë, meqë ishte i sigurt se është helmuar nga dikush!
Këto dyshime forcohen më vonë kur vet Salieri, i cili nuk ishte mirë nga mendtë në pleqëri, “pranon” aktin e vrasjes! Kur ishte i kthjellët, e sidomos pak para vdekjes, ai këtë e mohonte bindshëm. Por, ja që deklarata e keqe, lajmi i keq, mbahet mend më shumë e më gjatë.
E vërteta është se Mozarti dhe Salieri kishin raporte të këqija. Kjo dëshmohet edhe nga letrat e Mozartit. Por, është po ashtu e vërtetë se ata kishin edhe raporte të mira. Madje, pas vdekjes së Mozartit, gruaja e tij, Constanze, ia besoi veç Salierit edukimin muzikor të djalit të tyre – Franzit.
Raportet e këqija mes tyre, që dominojnë sot në opinion, duhet të shikohen në një aspekt tjetër. Kur 25-vjeçari Mozart, një gjeni austriak, shkoi nga Salsburgu në qendrën botërore të muzikës, në Vjenë, italiani Salieri ishte yll – kompozitori më i njohur, më me ndikim e më i respektuar në oborrin perandorak të Habsburgëve! Meqë Mozarti është nga ata që famën më të madhe e ka marrë pas vdekjes, dyshohet se ky mit i helmimit të tij është pasojë e konfliktit mes përfaqësuesve të shkollave austriake (gjermane) dhe italiane të muzikës! Pra, traditat dhe pikëpamjet e ndryshme muzikore, nxitën thashethemet. Këto llafe shkuan te veshi i Pushkinit, që krijoi një dramë të shkurtë, por që do të shtyjë të tjerët drejtë veprave më të mëdha: një operë (“Mozarti dhe Salieri”, më 1897, nga Nikolai Rimsky-Korsakov), një shfaqje dhe një film!
FILMI SI SHKOLLË DHE MISHËRIMI ME TË “VËRTETËN”
Më 2 nëntor 1979, bazuar në veprën e Pushkinit, jepet premiera e shfaqjes “Amadeus”, e dramaturgut të njohur anglez, Peter Shaffer. Në bazë të kësaj drame, do të realizohet ca vite më vonë një nga veprat më të mëdha të kinematografisë botërore: filmi “Amadeus” i vitit 1984, i regjisorit çek Milos Forman. Ky film – që fitoi tetë çmime “Oscar” – më shumë se çdo gjë tjetër do ta përforcojë bindjen e masave se Mozarti u vra dhe atë nga Salieri.
Gjithçka nisi me shfaqjen e Shafferit, të cilën Formani e kishte parë me hezitim të madh. Thjesht, vinte nga një shtet komunist i asaj kohe, nga Çekosllovakia, ku veprat skenike me biografi të muzikantëve preferoheshin nga pushteti, pasi përmes muzikës mashtronin masat e nuk thoshin bash asgjë. Por, që në aktin e parë ai u ndje i mahnitur. Ndaj, mezi e priste të dytin, për të vendosur për një film që do të jetë ndryshe. Sipas Formanit, në teatër gjithçka është e stilizuar: druri nuk është dru, as Dielli nuk është Diell, aktorët ekzagjerojnë në stilizim… Ndërsa, filmi është fotografi, e në fotografi gjithçka duhet të jetë vërtetë, jo si në teatër!
Shkrimi i skenarit merr katër muaj, me një angazhim maksimal për pesë ditë në javë. Gjatë procesit të punës, u vendos që edhe muzika e Mozartit të jetë karakter filmi, ndërsa rolet kryesore të mos u jepen aktorëve të njohur, por të jenë të tillë që pas këtij filmi të mos harrohen. Qëllimi ishte të shihej Mozarti dhe Salieri, e jo yjet – të famshmit e asaj kohe!
Hiç më pak se 1263 aktorë janë shfaqur në audicionin torturues, për shumëkënd nënçmues (pos për artistët e mirëfilltë – që të paktë janë mes shqiptarëve – që e dinë se ishte shans i rrallë për të punuar me një tekst të një dramaturgu si Shaffer, e një regjisor si Forman).
Gjatë tri javëve të xhirimeve të Salierit plak, aktori F. Murray Abraham nga ora katër e mëngjesit duhej të ishte gati për maskën që merrte katër orë për t’u punuar. Për mbi katër orë në ditë, aktori që luante Mozartin, Tom Hulce, ushtronte pjesët muzikore në piano, që gjatë skenave të interpretimit të mos e gabonte asnjë notë. Dhe, nuk e gaboi, asnjëherë – gjatë tërë filmit.
Abraham dhe Hulce u mishëruan aq shumë në karakteret e tyre, sa që nisën të sillen si Salieri dhe Mozarti, e bile të mos shoqërohen me njëri-tjetrin! Prandaj, ky është një nga filmat e rrallë me dy nominime për aktorin më të mirë për Oscar (fiton Abraham)
DHE VRASËSI VRITET NGA VRASËSI…
Në këtë film Salieri portretizohet si fetar i madh (jo besimtar i sinqertë). Ai i lutej Zotit, ta bënte muzikant, ta bënte të famshëm, që pas vdekjes njerëzit ta thërrasin emrin e tij me dashuri. Por, shpejt kthehet kundër Zotit, sepse mendon se po ia merr talentin.
Salieri i shpall luftë Hyut Suprem, sepse Ai e zgjodhi për instrument një mburracak, një epshor, një të ndytë, një fëmijë… sepse Ai është i padrejtë e i rreptë… ndaj do ta marrë rolin e të Plotfuqishmit, ta shkatërrojë krijesën e Tij, mishërimin e Tij – Mozartin!
Ky film i mrekullueshëm, e riktheu muzikën e Salierit nga harresa, i bëri njerëzit “ta thërrasin emrin e tij”. Salieri u ringjall, por veç si vrasës i Mozartit.
I tillë në kujtesë vjen një refugjat që kishte ikur nga Franca për në Rusi, që e fitoi më vonë titullin Baron, e që u bë senator i fuqishëm në Perandorinë e Dytë Franceze. Ky person të cilin askush s’e njohu si intelektual, pos si njeri të thashethemeve, do të futet në histori si vrasës i një gjeniu dhe artisti tjetër. Më 27 janar 1837, në një duel, Georges-Charles de Heeckeren d’Anthès e qëllon me plumb Pushkinin. D’Anthes është vrasësi i Pushkinit.
Dhe, vrasësi vritet nga vrasësi. Jesse James, lideri famëkeq i një bande kriminale të shekullit XIX në SHBA, vritet nga vartësi i tij Robert Ford. Ford u bë i famshëm, siç donte të bëhej, sepse ishte “njeriu që e vrau Jesse Jamesin”. Fordi vritet pastaj Edward Capehart O’Kelley që po ashtu do të bëhet i famshëm si “njeriu që e vrau Robert Fordin që e vrau Jesse Jamesin”.
Kështu pra, mediokrët krijojnë qarkun e pandalshëm të vrasjeve fizike, shpirtërore, artistike… Në një qark të tillë, urtaku i madh, Xhemal Abria, nga të tijtë u quajt Xhemajlaqi. Ndërsa, pleqnari Tahir Berisha, i rrethuar nga mendjemëdhenjtë, do ta thotë nëmën e madhe që vet e vuante: “U bëfsh e mos paç ku me u bo”!
Fatin e Tahirit shqiptar e shpërfaq edhe shkrimtarja amerikane, Ayn Rand, në novelën e saj të vitit 1943, “The Fountainhead” (i inskenuar në film me po të njëjtin emër, me rolin kryesor nga Gary Cooper). Aty ajo paraqet konfliktin mes arkitektëve Howard Roark dhe Peter Keating. Keating është njeriu që kurrë nuk ia doli të ishte ai që do të donte të ishte (me imponimin e nënës u bë arkitekt). Roark (personifikimi i arkitektit Frank Lloyd Wright) ishte kreativi që sabotohet nga mediokrët.
Roark është ndërtues i pakompromis – që hedh në ajër objektin planin e së cilës ia ndryshojnë të tjerët (si metaforë e triumfit të individualizmit ndaj stagnimit të kolektivizmit debil) – siç ishte Mozarti që e dinte se “nuk mund të rishkruajë diçka që është bërë perfekt” dhe se çdo vepër e tij “ka nota aq sa duhet të ketë”! Keatingu ishte si Salieri, që besonte se pranimi publik është masë e suksesit. Ndaj, lumturohej që të “që të gjithë e donin dhe edhe unë e doja veten time”.
Ky është realiteti i “artistëve” kudo, mediokërve, shqiptarë kudo në Ballkan: të duhen e të pëlqehen, të jenë të pranishëm kudo, të shihen e të bëjnë kompromise me secilin, sepse kështu do të krijojnë perceptimin se vlejnë!
Por, sikur perandori Josephi i II-të (populli) do ta arsyetonte tamam epitetin e Mbretit të Muzikës, nuk do të manipulohej nga Salieri. Kështu, Mozarti në të gjallë do ta shijonte famën, që iu bë e përjetshme pas vdekjes së tij. Salieri nuk do të ishte ky Salier e as nuk do të kishte salierë. E, as Tahir Berisha nuk do të nëmte.
KONFLIKTI I DY BOTËVE
Drama e Pushkinit, si një e vërtetë e mundshme, ka inspiruar gjeneratat e ardhshme për të zbërthyer artistin, konfliktet dhe kompleksin e tij. Poetët rusë Anna Akhmatova dhe Osip Mandelstam, thoshin se artistët duhet të përmbushin “Parimin e Mozartit” (impulsi, inspirimi) dhe “Parimin e Salierit” (puna). Ndërsa, gruaja e Osipit, shkrimtarja Nadezhda Mandelstam, tërheq paralele mes këtyre kompozitorëve dhe vetë jetës së Pushkinit. Sipas saj, Akhmatova mendonte se Mozarti personifikohet me poetin polak Adam Mickiewicz, ndërsa Pushkini e identifikonte veten me Salierin.
Sipas eseistit Mikhail Gershenzon, “Mozarti dhe Salieri” i Pushkinit shpërfaq konfliktin mes dy filozofive. Ai thotë se tek Salieri shpërfaqet bindja se drejtësia bazohet tek barazia, se njerëzit kanë shanse të barabarta të përmirësojnë pozitën e tyre me punë dhe angazhim. Te Mozarti suksesi nuk bazohej tek puna, po te talenti. Pra, ai nuk duhej të punonte që të bëhej gjeni, sepse i tillë lindi. Mu për këtë, Salieri ndjen se ka të drejtë ta vrasë Mozartin, për ta mbrojtur idenë racionale të progresit e ta shpëtojë botën nga padrejtësia e iracionalizmit të universit.
Për Gershenzonin, këto dy personazhe shfaqin vetë Pushkinin. Në art ishte Mozart, në çdo gjë tjetër Salier, sepse jeta e përballi me sfida të mëdha që ta ndjente veten të tillë. Kjo shfaqet më së miri në momentet e fundit të jetës së tij, kur nënçmohej nga francezi që i sillej vërdallë gruas së tij. I lodhur nga borxhet dhe thashethemet, ai e fton në duel D’Anthèsin, në ballafaqim me vdekjen.
Por, artisti nuk vrau. Ai u vra! Ai vritet edhe këtu, që në lindje, nga ata për të cilët epitafi i një viktime të vrasjes për famë thotë: “Një tradhtar dhe një qyqar emri i të cilit nuk është i denjë të shfaqet këtu”.
Prandaj, talentët po zbulohen dhe ndërtohen jashtë këtyre trojeve! Sepse, shqiptarët kanë salierë, të versionit të keq të portretizuar nga arti: xhelozë mediokër, që vrasin intelektualin, artistin e gjeniun në maninë e tyre për sundim dhe famë. Ata i ke kudo, madje edhe ku më së paku duhet: duke i “edukuar” gjeneratat e reja!
Salieri, ç’është e vërteta, është një nga figurat kryesore të operës së shekullit XVIII, që ka kontribuar në zhvillimet muzikore të kohës, që ka ndikuar tek kompozitorët e kohës, ndërsa ishte mësues i disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës, si: Franz Liszt, Franz Schubert dhe Ludwig van Beethoven.
E, këtu, mes shqiptarëve, vjen në pah shkatërruesi e jo ndërtuesi; këtu vjen në pah ai Salieri i Pushkinit, që vret sepse xhelozon; ai i Formanit që thotë: “Unë flas në emër të mediokërve në botë… unë jam kampioni i tyre… mediokritet kudo”!