Aktorja hollivudiane, Meryl Streep, do t’i bashkohet ekipit të serialit “Big Little Lies” në sezonin e ri.
Ajo do ta luajë rolin e Mary Louise Wright, nënës së Perry Wright (Alexander Skarsgard) dhe vjehrrën e Celeste (që e luan Nicole Kidman).
“E shqetësuar për nipat pas vdekjes së djalit të saj Perry, Mary Louise shkon në Monterey në kërkim të shumë përgjigjeve”, shkruan Deadline për karakterin e Streep.
Angazhimi në serialin e popullarizuar të HBO është një vendim interesant për 68-vjeçaren, e cila për herë të fundit me këtë rrjete televiziv ka punuar në vitin 2003 në mini-serialin, “Angels in America”.
Tash për tash, Streep është karakteri i parë i ri që do të shfaqet në sezonin e dytë të “Big Little Lies”, të cilit pritet t’i bashkohen edhe personazhe të tjera.
Kritikët paralajmërojnë një “përplasje titanësh” ndërmjet Kidman dhe Streep në episodet e reja të këtij seriali.
Akoma nuk dihet se si do të rrjedhë ngjarja në sezonin e ri, pos që Celeste do të luftojë me vendosmëri për familjen e saj dhe do ta kërkojë në vete gruan që ka qenë dikur.
“Big Little Lies” deri më tani ka fituar tetë çmime Emmy, ndërsa është bazuar në librin e shkrimtares Liane Moriarty.
Ngjarja përcjell jetën e një grupi nënash që jetojnë në qytetin idilik Monterey të Kalifornisë. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=fV6gVda5Bbg