Site icon Telegrafi

Mero Baze: Vjehrra e Sali Berishës, agjente e UDB-së në Tiranë, ka qenë e vëzhguar nga Sigurimi i Shtetit

Gazetari shqiptar Mero Baze, i ftuar në emisionin “Zona Zero” me autor Milaim Zekën që transmetohet në Top News, ka zbuluar disa informacione interesante për vjehrrën e ish-kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha.

Ai ka bërë publike informacione të marra nga një dosje e shërbimit inteligjent të shtetit në Shqipëri për veprimtarinë e saj si agjente e shërbimit inteligjent serb UDB.

Sipas Bazes, vjehrra e Berishës bënte takime të shpeshta në ambasadën jugosllave në Tiranë dhe merrte edhe para nga konsulli jugosllav. Ai ka shtuar se ajo është lejuar edhe të udhëtojë drejt Jugosllavisë në vitet 80 duke qenë se thuhej se kishte një vëlla në Beograd.

Baze ka shtuar se ka informacione konkrete rreth kësaj çështje si dhe dëshmitarët nuk mungojnë.

Këto informacione të ndjeshme Mero Baze tha se janë të shkëputura nga dosja e përgjimeve të sigurimit të shtetit në ambasadën Jugosllave, duke shtuar se do të ishte e udhës që kjo dosje të hapej për publikun dhe të hetohej.

Ai ka folur edhe për zhdukjen e Remzi Hoxhës duke hedhur aludime se kjo çështje është e përfshirë në dosjet e shpalljes non-grata të Berishës si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe nga Britania e Madhe. /Telegrafi/

 

Exit mobile version