Site icon Telegrafi

Mercedes bëhet prodhuesi i parë që merr miratimin nga Kalifornia për shitjen e makinave me drejtim autonom të Nivelit 3

Mercedes-Benz është bërë kompania e parë e automobilave që ka marrë miratimin nga shteti i Kalifornisë për shitjen e veturave të cilat janë të pajisura me Nivelin e 3-të të vozitjes së automatizuar.

Kjo do të thotë se disa modele të Mercedes në tregun më të madh amerikan të veturave mund të voziten pa ndërveprimin mes shoferit dhe veturës nën disa kushte të caktuara. Megjithatë, shoferi prapë se prapë duhet të jetë i gatshëm që të marrë kontrollin e veturës nëse shkëputet sistemi.

Sistemi Drive Pilot i prodhuesit gjerman të veturave do të jetë në dispozicion si opsion në modelet S-Class 2024 dhe EQS 2024, dhe veturat e para të pajisura me këtë teknologji pritet që të dërgohen tek klientët në fundin e 2023-shit, raporton Motor 1, transmeton Telegrafi.

Sistemi i njëjtë, në muajin janar e bëri markën gjermane prodhuesin e parë i cili ofron shërbime të vozitjes së automatizuar të Nivelit 3 në SHBA kur Drive Pilot u miratua për përdorim në shtetin e Nevada.

“Mercedes-Benz Drive Pilot është i vetmi sistem SAE i Nivelit 3 në botë me miratim të tipit të vlefshëm ndërkombëtarisht. Ai ndërtohet mbi një bazë shumë të fortë, duke vendosur standarde të reja të industrisë. Drive Pilot përdor një arkitekturë veture shumë të sofistikuar të bazuar në tepricë me një mori sensorësh që mundësojnë vozitje të automatizuar në kushte të rehatshme dhe të sigurta”, deklaroi Markus Schäfer.

Ai ndër të tjera shtoi: “Miratimi nga autoritetet në Kaliforni dhe Nevada konfirmon edhe një herë se kjo është e sigurt e gjithashtu edhe metoda e duhur. Në të ardhmen, Mercedes dëshiron të përmirësojë sistemin dhe ta bëjë atë të funksionojë me shpejtësi deri në 130kmh.

Në ndihmë të prodhuesit të automobilave janë kompani si Nvidia dhe Luminar, të cilat ofrojnë komponentë të ndryshëm për Drive Pilot. Përveç kësaj, Mercedes dëshiron të zgjerojë më tej disponueshmërinë e sistemit në shtete të tjera në SHBA dhe rajone të tjera anembanë botës. /Telegrafi/

Exit mobile version