Nga: Jonathan Pevsner
Leonardo da Vincin (1452-1519) ishte një gjeni, dhe një simbol i fuqishëm i “njeriut universal”, për shkak të interesave të tij të gjera në art, shkencë dhe teknologji, që përfshijnë disiplinat nga kimia (ai zbuloi acetonin) në astronomi (ai zbuloi fazat e ndriçimit të Hënës), në matematikë (ai zbuloi qendrën e gravitetit të një piramide) dhe deri tek puna me plastikën.
Gjeniu merr shumë forma, dhe në rastin e Leonardos ne i njohim kufizimet e tij. Ai ishte i vetëdijshëm për mungesën e një arsimimi zyrtar. E quante veten “omo sanza lettere” (një njeri pa gërma). Kishte probleme me llogaritjet aritmetike bazë dhe aftësitë e tij në gjuhën latine ishin të dobëta. Me siguri nuk do të kishte dalë me rezultate të mira në një sistem shkollor modern dhe IQ mund të rezultonte e ulët.
Shumë njerëz pyesin nëse mund të ketë sot një gjeni si Leonardo, apo çfarë do të bënte një person të kishte prirjet e tij të pazakonta.
Ndoshta, nuk mund të ketë një tjetër si ai, pasi bota e sotme kërkon një specializim të jashtëzakonshëm. Shumë prej nesh janë të angazhuar në fusha që kërkojnë një të menduar ndërdisiplinor. Por, pak shkencëtarë, mjekë, poetë, apo politikanë, sot quhen gjeni.
Shkenca e Leonardos ishte e bazuar në botën e Aristotelit, e formësuar nga interpretimet 18 shekullore. E zhvilloi një sistem të atyre që ai i quajti katër fuqitë e natyrës: lëvizja, pesha, forca dhe goditja. Ndonëse u përpoq t’i përkufizonte këto koncepte dhe shumë nga idetë janë të vjetra, thotë se zhvilloi një model koherent për të gjitha fenomenet natyrore, nga ato të makrokozmosit (p.sh forcat gjeologjike që çojnë në formimin e lumenjve dhe oqeaneve) tek mikrokozmosi (p.sh anatomia e njeriut).
Ai ishte i ngazëllyer mbi konceptimin e vet mbi katër fuqitë dhe mënyrën sesi ato e diktuan artin dhe shkencën e tij. Ne jemi sot në një rrugë të ngjashmes, duke kërkuar unifikimin e madh të ligjeve të fizikës, teksa studiojmë fenomenet natyrore nga grimcat subatomike në historinë e universit. Disa prej nesh, e shtrijnë këtë përpjekje unifikuese edhe tek artet.
Për Leonardon vizioni është më fisniku i shqisave, dhe i një rëndësie të madhe. Ndaj, pasioni i tij për vizionin ishte ekstrem. “Syri është dritarja e trupit njerëzor, përmes të cilit shpirti sheh dhe shijon bukuritë e botës. Për shkak të tij, shpirti është i kënaqur në burgun e tij njerëzor dhe, pa të, ky burg njerëzor është vuajtja e tij”, shkruan ai në librin e tij “Paragone” (krahasimi i arteve).
Ai i përshkruan mënyrat për të vizualizuar dijet, dhe ishte pionieri i ilustrimit anatomik.
Për Leonardon, piktura ishte një shkencë dhe akti krijues i pikturës është i dobishëm për të përfytyruar botën.
Si një anatomist dhe fiziolog, mendonte se ndjenja e vizionit është kaq e rëndësishme saqë duhet të ndërmjetësohet nga rajoni i saj i trurit, “imprensiva”. Dhe, Leonardo e bëri këtë me një durim të jashtëzakonshëm. Ai do të godiste më pëllëmbë një tryezë plot pluhur dhe do të përshkruante modelin përmes të cilit pluhuri binte sërish mbi tryezë. Do të kryente disektime të përsëritura të trupit, dhe kur vëzhgimet e tij binin ndesh me ato të autoriteteve mjekësore të kohës, ishte ndonjëherë në gjendje të bënte publike zbulimet e tij origjinale.
Leonardo ndihej më rehat kur mbështetej tek shqisat e tij, si bazë për përvojat kuptimplota. Ai e përmbledh kështu qëndrimin e tij mbi sigurinë e shkencës: “Mua me duket se janë të kota dhe të mbushura me gabime, ato shkenca që nuk lindin nga përvoja, nëna e çdo sigurie… dhe nëse ne dyshojmë mbi sigurinë e gjithçkaje që kalon përmes shqisave, aq më shumë ne do të dyshojmë tek gjërat që janë në kundërshtim me këto shqisa, siç është ekzistenca e Zotit, e shpirtit, apo e gjërave të ngjashme, mbi të cilat ka gjithmonë mosdakordësi dhe grindje” (“Traktati mbi pikturën”).
Për Leonardon, besimi tek përvoja ishte kryesisht vizual. Në shekullin XXI-të, ne e kuptojmë se nuk mund të nxjerrim të gjitha dijet tona nga përvoja shqisore. Dhe, shumë prej nesh që studiojnë gjenomën, apo që përdorim kompjuterët, kemi parë kufijtë e empirizmit. Padyshim që i përballur me botën e sotme, Leonardo do të kishte qenë i shkëlqyer në vizualizimin e informacionit.
Kreativiteti, është produktiviteti i shenjuar nga imagjinata. Kreativiteti, është po aq themelor për artin, sa edhe për shkencën. Ne mund të jemi krijues si mësues, si studentë, si shkrimtarë dhe si lexues. Ne mund të vlerësojmë shumë aspekte të kreativitetit të Leonardos, të cilat mund të na frymëzojnë sot.
Leonardo kombinoi në një mënyrë unike shkencën, artin dhe inxhinierinë. Në kohën e tij “scientia” i referohej dijes, ndërsa “ars” aftësisë manuale. Dallimi modern mes shkencave ekzakte dhe atyre humane, i përshkruar mirë nga C.P. Snow, nuk ekzistonte siç është sot. Leonardo ishte i pozicionuar mirë si një artist për të marrë përsipër misionin e një shkencëtari. Për Leonardon, synimi kreativ dhe fisnik i artistit është të përshkruajë botën natyrore. Artisti duhet të kuptojë të gjithë botën ashtu si një shkencëtar.
Sot ne mund të vlerësojmë gjithçka që arriti Leonardo, ashtu si edhe dështimet e tij të shumta, duke parë dikë që e përmbushi në një mënyrë unike potencialin e tij. Sa ishte gjallë, u vlerësua si një artist i jashtëzakonshëm, dhe admiruesit e tij kishin ndjesinë se eksplorimet në botët e shkencës dhe inxhinierisë qenë të jashtëzakonshme. Ai ka frymëzuar brezat për 500 vjet. Vlerësimi jonë për të u rrit gjatë shekullit të kaluar, teksa kemi qenë në gjendje të interpretojmë shkrimet e tij. Ndërsa, qasja gjithnjë e më e madhe tek informacioni dhe teknologjia, po e formëson botën e sotme, ku ne si një shoqëri mund të reflektojmë mbi vlerat e krijimtarisë, kuriozitetit, talentit dhe dijes së Da Vincit.
Ne i admirojmë vlerat e tij dhe mund të pyesim veten se si ato përshtaten në shoqërinë bashkëkohore. Unë nuk jam i sigurt nëse sot do të ishte po aq i famshëm sa në kohën e tij. Ne gjithashtu mund të pyesim se si vlerat e tij mund të ndihmojnë secilin prej nesh, të përpiqet të përmbush potencialin vetjak. Nga kjo pikëpamje, miliona prej nesh janë të frymëzuar nga rrugëtimi i tij jetësor. /Scientific American/Në shqip nga: bota.al/