Please enter at least 3 characters.

Melanoma, vrasësi i heshtur që po rritet: A ia vlen të nxihesh apo të mbrosh jetën?

Pas pushimeve verore, pyetja më e zakonshme mes miqve dhe kolegëve është: A u nxive? Rrallë ndodh të diskutojmë: A u mbrojte nga dielli? A e kontrollove ndonjë nishan të ri? E pikërisht kjo pyetje e dytë mund të bëjë ndryshimin mes jetës dhe vdekjes

Melanoma është forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës dhe një nga llojet më agresive të kancerit në përgjithësi. Edhe pse numri i rasteve është më i vogël krahasuar me kanceret e tjera të lëkurës, melanoma shkakton pjesën më të madhe të vdekjeve nga këto sëmundje.

Rreziku i saj qëndron në shpërndarjen e shpejtë në trup (metastazë), duke prekur shpejt nyjat limfatike dhe organet e brendshme - mushkëri, mëlçi, tru, kocka.

Melanoma formohet kur qelizat që prodhojnë pigmentin e lëkurës (melanocitet) pësojnë ndryshime malinje. Mund të shfaqet jo vetëm në lëkurë, por më rrallë edhe në gojë, sy, organe gjenitale apo brenda trupit.

Kush rrezikohet më shumë?

Personat me lëkurë të bardhë, sy të kaltër apo jeshil, flokë të çelët apo të kuq, ata që digjen lehtë nga dielli, që kanë shumë nishane, sidomos nishane të parregullta, dhe ata me histori familjare të melanomës janë më të rrezikuarit.

Djegiet nga dielli në fëmijëri janë një faktor i fortë rreziku.

Shkaktari kryesor mbetet rrezatimi UV - rrezet e diellit dhe përdorimi i solarëve, të cilët janë kancerogjenë të provuar shkencërisht. Organizata Botërore e Shëndetësisë që në vitin 2009 i ka klasifikuar solarët si pajisje që shkaktojnë kancer. Disa vende si Australia dhe Brazili i kanë ndaluar tërësisht për të miturit, transmeton Telegrafi.

GettyImages

Llojet e melanomës

Melanoma mund të paraqitet në disa forma:

Melanoma sipërfaqësore- më e shpeshta, që rritet fillimisht horizontalisht në sipërfaqe, para se të depërtojë më thellë.

Melanoma nodulare - formë më agresive, zhvillohet shpejt në thellësi, shpesh duket si një gungë e errët.

Lentigo maligna melanoma - shfaqet zakonisht tek të moshuarit në fytyrë dhe pjesë të ekspozuara ndaj diellit.

Melanoma akrale lentiginoze - më e rrallë, shfaqet në shuplaka, shputa ose nën thonj, sidomos tek personat me lëkurë më të errët.

Melanoma e mukozave- shumë e rrallë, por e rrezikshme, mund të zhvillohet në gojë, hundë, organe gjenitale apo zorrë.

Si ta njohim melanomën? Rregulli ABCDE

Zbulimi i hershëm është shpëtim. Ndiqni ABCDE:

A (Asimetri): Nishani nuk ka formë të rregullt.
B (Kufij): Kufij të paqartë, të parregullt.
C (Ngjyra): Ndryshime ngjyrash brenda të njëjtit nishan.
D (Diametër): Më i madh se 6 mm.
E (Evoluim): Çdo ndryshim në madhësi, formë, ngjyrë apo teksturë.

Nëse vëreni kruarje, gjakderdhje apo plagë që nuk shërohen, kontroll tek dermatologu urgjentisht!

Diagnoza, trajtimi dhe roli i mjekëve të familjes

Në fazën më të hershme, kur melanoma është vetëm në sipërfaqen e lëkurës, mundësia e mbijetesës pesëvjeçare është gati 100%. Por, sapo përhapet, përqindja bie ndjeshëm.

Shumë njerëz shmangin kontrollet nga frika e diagnozës ose mendojnë se duhet patjetër specialisti. Në fakt, mjekët e familjes janë të trajnuar për të dalluar shumicën e ndryshimeve të dyshimta. Ata mund të kryejnë edhe ndërhyrje të vogla për heqjen e noduseve të padëmshme.

Solarët, dielli dhe përgjegjësia

Keqinformimi dhe dëshira për të pasur ten të nxirë shpesh i shtyjnë të rinjtë drejt solarëve dhe orëve të gjata në diell. Por dielli nuk fal, ekspozimi i tepruar pa mbrojtje është lidhur drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të melanomës në të gjithë botën.

Ndërkohë, shumë profesione, si punëtorët e ndërtimit, punonjësit e komunës, janë të ekspozuar çdo ditë. Për ta, veshjet me UPF (faktor mbrojtës UV) janë të domosdoshme, ashtu si ndjekja e UV indeksit dhe shmangia e ekspozimit kur dielli është më i fortë.

Melanoma nuk zgjedh kë të godasë

Statistikat tregojnë se numri i rasteve po rritet, pjesërisht për shkak të udhëtimeve në zona me klimë të nxehtë dhe përdorimit të solarëve.

Edukimi, kontrollet parandaluese, vetëdijësimi dhe diagnostika moderne janë armët tona më të fuqishme.

Mos e injoroni lëkurën! Kontrolloni çdo ndryshim, shmangni diellin e tepërt, mbrohuni dhe mos kini frikë të shkoni tek mjeku. Një kontroll mund t’ju shpëtojë jetën. /Telegrafi/