Site icon Telegrafi

Mehmeti: Sigurimet me performancë pozitive

Foto: Arkiv

Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, thotë se ka kërkuar nga institucionet kompetente që të shqyrtohet tatimi në qarkullim prej 5 për qind për industrinë e sigurimeve.

Kompanitë e sigurimeve janë të vetmet biznese që për vite me radhë paguajnë tatim në qarkullim prej 5 për qind, apo tatimin bruto në primin e shkruar, tatim ky që nuk i ngarkon edhe korporatat tjera në vend. Për këtë shkak guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë se ka kërkuar që kjo çështje të shqyrtohet nga institucionet kompetente në vend.

“BQK-ja është angazhuar dhe ka kërkuar që kjo çështje të shqyrtohet nga institucionet kompetente. Sipas dijenisë tonë, Ligji për tatimin në të ardhurat e korporatave, i cili është në proces të amandamentimit ka përfshirë edhe çështjen e tatimit të siguruesve, të cilat pritet të tatohen në të njëjtën mënyrë sikurse të gjithë sektorët e tjerë”, tha Mehmeti.

Sipas tij, sektori i sigurimeve në Kosovë ndër vite nuk ka pasur performancë të kënaqshme, por, siç thotë ai, në një performancë të tillë ka ndikuar edhe çështja e tatimit në qarkullim prej 5 për qind, si dhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara që qarkullojnë në rrugët e Kosovës. Megjithatë, sipas Mehmetit, gjatë dy viteve të fundit ka përmirësim të dukshëm të performancës së sektorit të sigurimeve, i cili po gjeneron fitime.

Si e vlerësoni performancën e kompanive kosovare të sigurimeve?

Mehmeti: Sikurse jeni në dijeni, sektori i sigurimeve ndër vite nuk ka pasur performancë të kënaqshme. Përpos tjerash, një performancë e tillë është ndikuar nga disa faktorë, prej të cilëve do të përmendja tatimin në bruto primin e shkruar (apo tatimin në qarkullim) prej 5%, si dhe dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara, që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës. Marrë parasysh këtë, rezultatet financiare të kompanive të sigurimit gjatë viteve të kaluara kanë qenë negative. Megjithatë, gjatë dy viteve të fundit kemi përmirësim të dukshëm të performancës së sektorit të sigurimeve, si rezultat edhe i masave mbikëqyrëse dhe legjislative që i ka ndërmarrë BQK-ja.

Vite më parë, para se ju të zgjidheshit në krye të BQK-së, kompanitë e sigurimeve operonin me humbje. Si po operojnë viteve të fundit këto kompani?

Mehmeti: Sikurse është përmendur më sipër, sektori i sigurimeve gjatë viteve të kaluara ka operuar me humbje. Megjithatë, gjatë vitit të kaluar 2017, performanca e sektorit të sigurimeve ka pasur një përmirësim të rëndësishëm. Fitimet e realizuara nga sektori i sigurimeve gjatë vitit 2017 ishin në shumë prej 6.4 milionë euro, derisa deri në tremujorin e dytë të vitit 2018 fitimet e sektorit të sigurimeve janë 800 mijë euro. Pra, përkundër disa faktorëve jo të favorshëm, si: tatimi në qarkullim dhe makinat e pasiguruara, është arritur që nga rezultati financiar negativ, të ketë performancë të kënaqshme me rezultat financiar pozitiv.

A ka zvogëlim të borxheve të papaguara nga kompanitë e sigurimeve, apo a ka rritje të tyre?

Mehmeti: Bazuar në të dhënat e pranuara të datës 30 qershor 2018, vlera e provizioneve teknike të siguruesve jo-jetë është në shumë prej 109.3 milionë euro, krahasuar me 113.5 milionë euro sa ishin në qershor 2017. Gjithashtu, pagesa e dëmeve nga sektori i sigurimeve jo-jetë më 30 qershor 2018 arrin në shumë prej 21.2 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte në shumë prej 19.9 milionë euro. Shprehur në përqindje, raporti dëme/prime më 30 qershor 2018 është 50.2%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 40.5%. Duke marrë parasysh treguesit e lartpërmendur shihet se sektori i sigurimeve jo-jetë për gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka rezultuar me një trend më pozitiv në pagesën e dëmeve, krahasuar me periudhën paraprake.

Për dallim nga korporatat tjera, kompanitë e sigurimeve tatohen me 5 % tatim në qarkullim. Pse ky tatim ekstra dhe a ka gjasë që të shqyrtohet i njëjti, në mënyrë që të mos dëmtohet vetëm industria e sigurimeve?

Mehmeti: Sikurse jeni në dijeni, çështja e tatimit në qarkullim prej 5% nuk është në kuadër të kompetencave të BQK-së. Megjithatë, BQK-ja është angazhuar dhe ka kërkuar që kjo çështje të shqyrtohet nga institucionet kompetente. Sipas dijenisë sonë, Ligji për tatimin në të ardhurat e korporatave, i cili është në proces të amandamentimit, ka përfshirë edhe çështjen e tatimit të siguruesve, të cilat pritet të tatohen në të njëjtën mënyrë sikurse të gjithë sektorët e tjerë.

Kompanitë e sigurimeve raportojnë se çdo e treta veturë që del në komunikacion në Kosovë është e pasiguruar. Pse po lejohet kjo gjë nga institucionet përkatëse, pasi që numri i madh i automjeteve të pasiguruara nuk e dëmton vetëm industrinë e sigurimeve, por edhe buxhetin e Kosovës?

Mehmeti: Është e vërtet që numri i madh i automjeteve të pasiguruara i dëmton siguruesit. Automjetet e pasiguruara, të cilat qarkullojnë nëpër rrugët e Republikës së Kosovës, çdo ditë e më shumë rrezikojnë jetët e qytetarëve të Kosovës. Të dëmtuar në këto raste rezultojnë të jenë viktimat, të cilat pësojnë aksidente në trafik, si dhe vetë shkaktarët e këtyre aksidenteve, të cilët me rastin e ndodhjes së aksidentit nuk kanë të kontraktuar sigurimin e përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara ndaj palëve të treta.

Me qëllim të nxitjes së një angazhimi më të madh për adresimin e këtij problemi, BQK-ja, që nga korriku i vitit 2015 vazhdimisht ka kërkuar nga institucionet relevante angazhim më të madh për reduktimin e numrit të automjeteve të pasiguruara. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, BQK-ja ka qenë pjesëmarrëse e shumë takimeve dhe grupeve punuese të organizuara për këtë qëllim, ku roli i saj ka qenë shumë aktiv dhe kontribuues.

Numri i madh i automjeteve të pasiguruara, a është pengesë edhe për mos anëtarësim të Kosovës në Kartonin e Gjelbër?

Mehmeti: Krahas çështjes së anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, edhe numri i madh i automjeteve të pasiguruara është çështje që vështirëson anëtarësimin në Këshillin e Byrove. Sidoqoftë, duke e pasur parasysh se Kosova ka përmbushur obligimet tjera që kërkohen për anëtarësim, ne besojmë se së shpejti do të jetë e mundur që Byroja Kosovare e Sigurimit të bëhet anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Byrove në Bruksel. BQK-ja është angazhuar dhe po vazhdon angazhimin intensiv me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Byrove dhe zgjidhjes së çështjes së kartonit të gjelbër.

Në numrin e madh të automjeteve të pasiguruara, a po ndikojnë edhe kushtëzimet e fundit për regjistrim të automjeteve si: pagesa e gjobave në komunikacion, faturat e tatimit në pronë, etj.?

Mehmeti: Çështja e caktimit të masave për regjistrim të automjeteve është në kompetencën e institucioneve tjera dhe jo e BQK-së. Megjithatë, çdo iniciativë dhe lehtësim për të zvogëluar numrin e automjeteve të paregjistruara në Kosovë do të ketë përkrahjen e BQK-së.

Kompanitë e sigurimeve gjithashtu paguajnë 1% nga bruto primi i vlerës së siguruar të automjeteve për Kryqin e Kuq të Kosovës. Sa është shuma vjetore që grumbullohen për Kryqin e Kuq dhe a do të duhej të shikohet financim institucional për Kryqin e Kuq dhe jo në këtë mënyrë siç ka qenë deri më tani?

Mehmeti: Çështja e pagesës prej 1% nga primet e shkruara bruto në emër të Kryqit të Kuq të Kosovës është e rregulluar me Ligjin nr. 03/L-179 për Kryqin e Kuq të Republikës së Kosovës, të datës 10 qershor 2010, dhe nuk është në kompetencën e BQK-së. Megjithatë, BQK-ja ka kërkuar nga institucionet të cilat i mbikëqyr dhe rregullon që të respektojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi. Sipas informatave të cilat BQK-ja i disponon, çështja e pagesës ndaj Kryqit të Kuq është në proces gjyqësor.

Kompanitë e sigurimeve dhe Policia e Kosovës raportojnë për rritje të numrit të rasteve me të lënduar lehtë në komunikacion. A keni hasur në keqpërdorime në rastet e tilla, pasi që ka dyshime se shumë raste të tilla ndodhin për arsye të përfitimeve financiare nga disa shoferë të papërgjegjshëm?

Mehmeti: BQK-ja në mënyrë të vazhdueshme i mbikëqyr kompanitë e sigurimeve përmes mbikëqyrjes nga jashtë dhe mbikëqyrjes në vend, dhe se deri më tani nuk ka hasur dhe nuk ka njohuri me praktika dhe raste të tilla. Sidoqoftë, në rast të identifikimit të këtyre rasteve, siguruesit dhe kushdo qoftë tjetër duhet t’u drejtohen organeve kompetente për të ndjekur procedurat e parapara ligjore ndaj abuzuesve të mundshëm.

Si është zhvilluar tregu i sigurimeve në Kosovë ndër vite?

Mehmeti: Industria e sigurimeve në Kosovë është në vitin e 18-të të funksionimit të saj dhe përgjatë kësaj periudhe ka kaluar në faza të ndryshme të zhvillimit. Gjatë këtyre viteve kjo industri ka shënuar rritje, si në aspektin e numrit të kompanive të sigurimeve, ashtu edhe në aspektin e aseteve. Tregu i sigurimeve në Kosovë është i zhvilluar kryesisht në sigurime të detyrueshme, më konkretisht në sigurimet e përgjegjësisë ndaj palës së tretë, përderisa tregu i sigurimeve vullnetare ende përfaqëson një pjesë mjaft të vogël të aktivitetit të kësaj industrie. Gjatë këtyre viteve të zhvillimit të sektorit të sigurimeve në Kosovë është arritur të plotësohet mjaft mirë platforma e produkteve të sigurimeve që i nevojiten një ekonomie, prandaj mund të themi se ky sektor është duke dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në rritjen e sigurisë dhe, rrjedhimisht, përmirësimin e ambientit për të operuar në ekonominë e Kosovës.

Me gjithë rritjen e vazhdueshme të aktivitetit që nga fillimi i funksionimit të kësaj industrie në Kosovë, shkalla e depërtimit (niveli i ndërmjetësimit) të produkteve të sigurimit në ekonominë e Kosovës, e cila konsiston në një raport të primeve të shkruara bruto ndaj BPV-së prej 1.4 përqind, mbetet relativisht e ulët në krahasim me vendet e zhvilluara. Kjo tregon se, në raport me madhësinë e ekonomisë, ekziston hapësirë e mëtejme për rritjen e aktivitetit të sigurimeve. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës po angazhohet vazhdimisht për ta mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori, por nevojitet aktivitet i shtuar edhe nga industria për ta rritur edukimin financiar të publikut për sa u përket produkteve që ofron industria e sigurimeve. /Telegrafi/

Exit mobile version