Në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka filluar mbledhja ku po raporton Komisioni i Pavarur për Media për Licencat dhe Digjitalizimin.
Në këtë raportim veç anëtarëve të këtij komisioni nga të gjitha partitë, po marrin pjesë kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, anëtarët e tjerë të kësaj trupe, dhe përfaqësues të Agjensionit për Regjistrim të Bizneseve të Kosovës (ARBK).
Mehmeti në komision është përgjigjur në pyetjet e deputetëve të shtruara në mbledhjen e kaluar, më 4 korrik.
Në këtë mbledhje po diskutohet edhe ndryshimi i pronësisë së Klan Kosova dhe ArtMotion.
Në pyetjen e deputetëve nëse Klan Kosova ka ndonjë obligim ndaj KPM-së, Mehmeti është përgjigjur se televizioni i ka përmbushur të gjitha detyrimet dhe se nuk ka asnjë borxh të papaguar.
Edhe në pyetjen tjetër të ligjvënësve nëse këto dy institucione kanë zyra (njësi) në Kosovë, Mehmeti konfirmoi se asnjë biznes, e as Klan Kosova e ArtMotion nuk do të mund të operonin në Kosovë pa pasur një seli/bazë/zyrë e adresë në Republikën e Kosovës.
Përveç raportimit, në rend të ditës ishte edhe shqyrtimi i raporteve të komisioneve të përhershme lidhur me Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili u procedua për në seancë plenare me votat e anëtarëve të shumicës. /KlanKosova/