Sulmi i Kombëtares së Kosovës ka përfunduar si temë e mediave rumune para ndeshjes mes dy kombëtareve në kuadër të Ligës së Kombeve.
Kombëtarja e Kosovës është nikoqire e Rumanisë në ndeshjen e parë të Grupit C1 në Ligën e Kombeve, ndeshje që pritet të zhvillohet këtë të premte në stadiumin Fadil Vokrri.
Para disa ditësh, përzgjedhësi Franco Foda publikoi listën e futbollistëve të ftuar, ndërsa dje (e hënë) gjatë ditës ai mbajti konferencë për shtyp.
“Forma e mirë e treguar në klube nga sulmuesit tanë më jep shumë besim”, ka thënë ndër tjerash Foda.
Kjo deklaratë e gjermanit 58-vjeçar i ka lënë përshtypje mediave rumune, të cilat janë marrë me formën e sulmuesve të Kosovës.
I tillë është mediumi gsp.ro, i cili ka bërë një shkrim me titull: “Franco Foda mbështetet te sulmuesit e tij, të cilët janë në formë të shkëlqyer në klube”, duke iu referuar Vedat Muriqit (Mallorca), Edon Zhegrova (Lille) dhe ish-lojtarit të Rapid Bukureshtit, Albion Rrahamani (Sparta Pragë).
Muriqi shënoi një gol për Mallorcan në ndeshjen hapëse të sezonit, kundër Real Madridit (1-1) dhe asistoi golin vendimtar në fitoren 1-0 me Leganes, në xhiron e katërt të luajtur në fundjavë. Në skuadrën e tij sulmuesi 30-vjeçar është titullari i padiskutueshëm.
Edon Zhegrova ka qenë edhe më ‘pjellor’ në debutimin e këtij sezoni. Ai shënoi tre herë për Lille në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe një herë në Ligue 1.
E për Albion Rrahmanin, të cilin Sparta Praga e bleu së fundmi, nga Rapidi, për 5 milionë euro, çekët janë super të emocionuar. Ai ka tre gola të shënuar. E para për Rapidin në Superligën rumune, dy për Spartën, një në kuadër të kualifikueseve për Ligën e Kampionëve dhe një në kampionat.
Në formë të lartë është edhe mesfushori i afruar së fundmi, Elvis Rexhbeçaj, i cili e ka nisur në mënyrë të përkryer sezonin me Augsburgun në Bundesliga, ku në ndeshjen e javës së parë ka shënuar një supergol. /Telegrafi/