Në veri të Mitrovicës sot është bastisur dhe mbyllur një objekt nën dyshimin për falsifikim dokumentesh.
Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se keqpërdorimi i realizuar nën flamujt e emblemat e Serbisë përveç që është mbyllur sot, do të hetohet deri në fund.
“Në respektim të plotë të legjislacionit tonë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të përpjekjeve të përbashkëta në luftim të çdo ilegaliteti brenda vendit tonë, sot është mbyllur edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicë të Veriut”, ka shkruar Sveçla.
Ministri ka shtuar se ky institucion ilegal ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta, kinse për objekte që janë nën menaxhimin e tyre.
“Sipas materialeve të siguruara nga Policia jonë, bëhet fjalë për një institucion i cili jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre. Ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e emblemat e Serbisë përveç që është mbyllur sot, do të hetohet deri në fund”, ka shkruar Sveçla.
Ndryshe, Policia e Kosovës tha se aksioni u bë në një objekt banesor, derisa tha se gjatë aksionit kanë hasur në disa struktura paralele.
“Komuna ka kërkuar intervenimin e policisë për lirimin e disa pronave. Në momentin e hyrjes në këtë objekt (kati i parë i ndërtesës), Policia ka biseduar me disa persona të cilët na kanë treguar se aty janë punonjës të një institucioni që në pamje të parë duket të jetë ilegal.
Pas verifikimit të disa dokumenteve ne e kemi njoftuar Prokurorinë e Mitrovicës dhe kemi hap rast për dyshimin Falsifikim të Dokumenteve. Punëtorët janë leju me i marr gjërat personale dhe me u largu nga aty, ndërsa janë vendos edhe shiritat. Nuk ka persona të arrestuar, ndërsa policia do të verifikoj dokumentacionin që gjendet aty në detaje”, u shpreh zëvendës drejtori i PK-së për rajonin e veriut, Veton Elshani. /Telegrafi/