Site icon Telegrafi

BE: Mbyllja e degëve të bankës serbe në veri të Kosovës, veprim i pakoordinuar dhe përshkallëzues

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj aksionit të djeshëm në veri të Kosovës, ku u mbyllën gjashtë njësi të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë.

Sikurse Shtetet e Bashkuara më herët, edhe Bashkimi Evropian e quajti vendimin e autoriteteve kosovare veprim të pakoordinuar dhe përshkallëzues.

“Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa njoftim paraprak ose koordinim dhe vetëm disa ditë pas takimit të fundit të Dialogut, i cili gjithashtu trajtoi çështjen e zyrave të Bankës Postare Kursimore, është përshkallëzuese dhe bie ndesh me frymën e normalizimit dhe minon vullnetin e mirë të Kosovës për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut”, thuhet në komunikatën të lëshuar nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

BE tutje shtoi se këto veprime të pakoordinuara rrezikojnë zbatimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve.

Lexo po ashtu SHBA kritikon ashpër mbylljen e degëve të bankës serbe në veri të Kosovës

“Edhe një herë, veprimet e pakoordinuara nga njëra palë rrezikojnë zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Operacioni nga Policia e Kosovës gjithashtu rrezikon negociatat në vazhdim për një zgjidhje të përkohshme për njerëzit e prekur negativisht nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës mbi operacionet me para të gatshme”, thuhet tutje në deklaratën e Stanos.

Stano theksoi se kjo do të ketë efekt negativ në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera që janë të kualifikuara për transferime financiare nga Serbia.

“Operacioni i së hënës provon edhe një herë se autoritetet e Kosovës prioritizojnë veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara në vend të bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët e saj”, thuhet mes tjerash në deklaratë.

Ai e përsëriti se “statusi i strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet me dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe”.

Stano u bëri thirrje dy vendeve fqinje t’i kthehen dialogut të Brukselit. /Telegrafi/

Exit mobile version