Mbretëria e Bashkuar i ka vendosur sanksione nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviqit, lider i një grupit të organizuar kriminal.
Sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar kanë për synim akterët e korruptuar, transmeton Telegrafi.
“Duke i mbushur xhepat e tyre përmes korrupsionit dhe vjedhjes, aktorët e korruptuar kanë një efekt gërryes në komunitetet përreth tyre – duke minuar demokracinë dhe duke privuar vendet nga burimet jetike për përfitimin e tyre”, thuhet në njoftimin e qeverisë britanike.
Milan Radoiçiq, një biznesmen i industrisë së ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe Radojcic ka përfituar nga shpërdorimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t’i dhënë kompanive të tij të ndërtimit kontrata fitimprurëse, sipas njoftimit të qeverisë britanike.
Zvonko Veselinoviç në anën tjetër, një biznesmen i industrisë së ndërtimit në Kosovë, ka përdorur kontrata publike për të përvetësuar fondet shtetërore, shton tutje Mbretëria e Bashkuar.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve, ndalim të udhëtimit, si dhe ngrirjen e aktiviteteve.
Radoiçiq dhe Veselinoviq janë sanksionuar edhe nga SHBA-ja. /Telegrafi/