Ministrja shqiptare e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj zbuloi sot se përgjatë një muaji, ka pasur mbi një milion sulme kibernetike ndaj sistemeve në sektorin privat dhe atë publik në vend.
Në një deklaratë për mediat, pyetur nga gazetarët në lidhje me sulmin kibernetik ndaj një banke të nivelit të dytë, Ibrahimaj u shpreh se ka komunikuar me bankën, por edhe me guvernatorin Gent Sejko.
Sipas saj, nuk janë prekur llogaritë e individëve.
“Unë dua t’ju siguroj që ka në muaj, mbi 1 milion sulme të cilat janë sulme të përditshme, qoftë në sistemin privat, qoftë në sektorin publik. Pra, tashmë lufta kibernetike është një luftë e cila është e prekshme, e cila prek çdo sektor, publik dhe privat, infrastrukturë kritike dhe jo kritike. Banka në fjalë ka bërë komunikimet e saj dhe në bazë të komunikimeve, por edhe komunikimeve që kemi pasur me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, nuk ka pasur prekje të llogarive të individëve”, ka thënë ministrja.
“Sektori bankar është nga ato sektorë që ka marrë masa që herët, sa i përket sulmeve kibernetike dhe sigurisë kibernetike. Qeveria shqiptare, nga ana tjetër, është duke ndërmarrë një reformë në këtë drejtim dhe duke ndërtuar të gjithë infrastrukturën e cila do të monitorojë të gjithë sulmet që do të vijnë në të ardhmen, duke ndërtuar një rrjet shumë të mirë të monirotimit të të gjithë këtyre sulmeve që mund të atakojnë në të ardhmen. Është një dukuri e cila nuk ndodh vetëm në vend, është një dukuri e cila ndodh në të gjitha vendet e botës, pasi është një lloj lufte e re e erës së re”, theksoi ajo. /Telegrafi/