Mbi 70 mijë punëtorë të kompanive të ndryshme private në Kosovë, kanë bërë kërkesë për kompensim të pagave në Administratën Tatimore të Kosovës, në mënyrë që të përfitojnë nga pako emergjente fiskale e Qeverisë së Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj tha se qysh nga 11 prilli kur ka filluar edhe aplikimi përmes sistemit online me qëllim të përfitimit nga pakoja fiskale dhe deri sot, në ATK kërkesa për kompensim dhe subvencionim të qirasë kanë paraqitur gjithsej 2972 kompani.
Ai për KosovaPress, ka njoftuar se në sistemin online për kompensim të pagës në masën e 170 euro kanë aplikuar gjithsej 62 mijë e 550 punëtorë, për kompensim për punëtorët e larguar nga puna në ATK, kanë aplikuar gjithsej 671 punëtorë, ndërsa kompensim të pagës për punëtorë të rinj janë 4092 punëtorë të regjistruar për herë të parë.
Qeveria e Kosovës ka ndarë edhe nga 100 euro për të gjitha punëtorët që janë rrezikuar dhe për këtë kategori kanë aplikuar 2781 punëtorë.
“Kërkesat të cilat ndërlidhen me kategorinë A kemi 62 mijë e 550, kategorinë B kemi 671, kategorinë C kemi 4092 dhe ata për rrezikshmërinë kemi 2781. Pra gjithsej kërkesa për kompensim të pagave kemi në nivel prej 70 mijë e 94 të punësuarve.. Është masë që është paraparë që në 100 euro vlerë të kompensohen të punësuar që kanë qenë të atakuar me qytetarët dhe si rezultati rrezikshmërisë së tyre duke iu ekspozuar rrezikut për infektim. Bazuar në vendimin e qeverisë dhe pakon emergjente fiskale kemi 2781 kërkesa për punëtor”, tha ai.
Lidhur me numrin e atyre që kanë aplikuar për leje të lëvizjes, për ato biznese që iu lejohet të veprojnë drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj tha se janë shkarkuar 5 mijë vërtetime tatimore me qëllim të qarkullimit.
“Kemi pasur dy tri vendime të cilat kanë derivuar si rezultat i vendimit të qeverisë për kufizim të lëvizjes të qytetarëve dhe në këtë rast edhe ndërprerjes së aktiviteteve të bizneseve. Ku edhe për këtë çështje është autorizuar ATK që të krijoj mundësinë që përmes platformës EDI, tu krijohet mundësia bizneseve që përmes sistemit online t’i shkarkojnë vërtetimet tatimore që atyre tu lejohet që të qarkullojnë të punësuarit e tyre edhe gjatë orarit të kufizuar. Mund të potencoi një të dhënë që si rezultat i vendimit të fundit vetëm brenda 3 minutave kur është krijuar mundësia e shkarkimit të formularit kemi pranuar rreth 5 mijë kërkesa gjegjësisht janë shkarkuar rreth 5 mijë vërtetime tatimore. Nga dita në ditë po ndryshon dhe të gjithë ata që janë të lejuar janë të pajisur me vërtetime tatimore dhe tani më janë shumë të vogla që paraqiten”, theksoi ai.
Me qëllim të mos përhapjes së pandemisë COVID19, Qeveria e Kosovës nga 13 marsi ka marrë vendim për mbylljen e shumë bizneseve në vend.
Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë, Qeveria e Kosovës, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179,6 milionë euro, e cila duhet të zbatohet nga ATK-ja.