Site icon Telegrafi

Mbi 350 milionë euro remitenca, deklarohen BQK dhe ekspertët e ekonomisë

Remitencat nga bashkatdhetarët tanë në katër muajt e parë të këtij viti kanë shënuar vlerën mbi 350 milionë euro. Banka Qendrore e Kosovës (BQK) pret që deri në fund të këtij viti remitencat të arrijnë nivelin prej 1.22 miliardë euro.

Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti ka thënë për KP se ecuria e rritjes së remitencave këtë vit pritet të jetë më e ngadalshme, krahasuar me vitin e kaluar, kur ishte shënuar rritje prej 17.7 për qind.

“Deri në muajin prill të këtij viti, vlera e remitancave ka arritur në shumën prej 351.5 milionë euro apo një rritje vjetore 5.4%. Për të gjithë vitin, remitencat pritet të arrijnë nivelin prej 1.22 miliardë euro, që do të korrespondojë me një rritje vjetore prej rreth 6%. Ecuria e rritjes së remitencave këtë vit pritet të jetë më e ngadalshme, krahasuar me vitin e kaluar, kur ishte shënuar rritje prej 17.7%”, tha Ahemti në një përgjigje me shkrim.

Ekspertë të ekonomisë presin që gjatë këtij viti të ketë tkurrje të të hyrave nga diaspora për shkak të krizës financiare dhe inflacionit të lartë në shtetet perëndimore nga vijnë bashkatdhetarët.

Drejtues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK), presin që të ketë rënie të të ardhurave nga bashkatdhetarët për shkak të krizës financiare globale.

Kryetari Skënder Krasniqi pret të që të ketë tkurrje të të ardhurave nga bashkatdhetarët për shkak të krizës financiare, ani se vlerëson se remitencat do të kenë ndikim pozitiv për ekonominë dhe vendin në këtë kohë.

“Tkurrje të do të kemi nga të gjitha shtetet e Evropës. Ne po besojmë dhe kemi dëshirë që të kemi numër sa më të madh të bashkatdhetarëve që të vijnë në Kosovë, sepse ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien tonë të përgjithshme. Po besojmë që do të ketë, meqenëse edhe ata janë duke u përballur me situata të njëjta, pasi që kjo është krizë botërore.

Remitancat do të ndikojnë pozitivisht, por kjo është e përkohshme, sepse kjo zgjatë dy deri në tre muaj në maksimum. Megjithatë, ne, të gjithë qytetarët që jetojmë këtu, jemi duke u përballur 12 muaj me probleme të njëjta dhe do të duhej një reagim më i shpejtë i Qeverisë së Kosovës me politika fiskale, me oferta dhe me infrastrukturë më të mirë ligjore se që e kemi aktualisht”, theksoi Krasniqi.

Edhe profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skënderi thotë për KosovaPress, se do të ishte normale të ketë të hyra më të pakta nga remitencat, krahasuar me vitin e kaluar, për shkak siç deklaron ai, të krizës financiare globale të shkaktuar nga invazioni rus në Ukrainë.

“Konsideroj se edhe ata do të përballen me një rënie të të hyrave nga fakti, se inflacioni dhe kriza globale ka përfshirë edhe vendet ku e kemi ne diasporën të përqendruar kryesisht në Zvicër, Gjermani, Austri dhe të tjera, sepse edhe atje kishim një inflacion sidomos tek derivatet e naftës…

Ndoshta, do të ishte normale të jetë një e hyrë më e vogël krahasuar me vitin e kaluar, nga fakti që vitin e kaluar ishim një ardhje masive të bashkatdhetarëve në Kosovë, kurse këtë vit, pritet një ardhje normale. Prandaj, edhe shpenzimet të cilat ata do t’i bëjnë në Kosovë, ndoshta në aspektin financiar do të jenë më të larta për shkak të çmimeve të cilat janë ngritur në konsumin e përgjithshëm.

Ndërsa, në anën tjetër ‘shpenzim’ substancial nuk do të ketë, sepse ato para nuk e kanë të njëjtën vlerë sikur e kishin vitin e kaluar”, thotë ai.

Konsiderohet se një pjesë e konsiderueshme e këtyre të hyrave nga remitencat janë një infuzion permanent për ekonominë e Kosovës.

Profesori Skënderi ka thënë po ashtu se do të ishte mirë që në këtë aspekt të ketë një bashkëpunim të ndërsjellët midis Qeverisë së Kosovës dhe diasporës në mënyrë që të stimulohen përmes politikave të ndryshme fiskale që ata të investojnë në krijimin e fabrikave dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Deri më tash miliardat e derdhura në Kosovë nga diaspora janë shpenzuar për konsum familjar.

Kujtojmë se bashkatdhetarët që kanë ardhur gjatë vitit 2021 në Kosovë, sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare, kanë shpenzuar rreth 2 miliardë euro, duke përfshirë edhe remitencat. Mbi 1 miliard kanë qenë remitenca dhe pjesa tjetër shpenzime të cilat bëhen nga bashkatdhetarët në momentet kur frekuentojnë vendet e tyre amë, qoftë periudhën verore e po ashtu edhe në festat e fundvitit në dimër. Numri i bashkatdhetarëve që kanë hyrë në Kosovë më 2021 vlerësohet të jetë mbi 1.5 milionë.

Exit mobile version