Kylian Mbappe ka marrë një vendim të çuditshëm për karrierën e tij disa muaj pas fillimit të aventurës tek Real Madridi.
25-vjeçari nuk ishte pjesë e ekipit të Francës për dy ndeshjet e muajit tetor, përkundër faktit që u rikthye nga lëndimi për të luajtur për Real Madridin në fillim të këtij muaji.
Përzgjedhësi Didier Deschamps kishte konfirmuar se Mbappe po vuante nga një problem i cili nuk është serioz, por refuzoi që të ndërmerrte ndonjë rrezik për sulmuesin.
Tani, e përditshmja franceze Foot Mercato ka raportuar për mungesën e tij aktuale nga kombëtarja.
Sipas tyre, gjatë pauzës së fundit me kombëtare, Mbappe kishte njoftuar përzgjedhësin e Francës se ai nuk do të jetë i gatshëm për sfidat e radhës.
Raporti shton se Mbappe tashmë e ka prioritet t’i luajë vetëm ndeshjet e rëndësishme për Francën mes shqetësimeve për lëndim për shkak të rritjes së numrit të ndeshjeve.
Megjithatë, mbetet ende e dyshimtë nëse kjo çështje është diskutuar mes Mbappes dhe hierarkisë së Francës, por mbetet e çuditshme për shkak se ai është kapiten i kombëtares.
Gjatë muajve të fundit një numër i madh i lojtarëve kanë folur publikisht për kalendarin e ngarkuar të ndeshjeve me ndryshimin e formatit të Ligës së Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube që i është shtuar kalendarit të këtij sezoni./Telegrafi/