Site icon Telegrafi

“Mbajeni distancën e sigurisë mes mjeteve”, Policia e Kosovës bën apel për kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugët e mbuluara me borë

Policia e Kosovës u ka bërë apel drejtuesve të automjeteve që të kenë kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugët e mbuluara me borë, ndërsa ka kërkuar nga shoferët që të mbajnë distancën e sigurisë mes mjeteve.

Policia në një postim në Facebook po ashtu ka kërkuar që ngasësit e automjeteve që të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.

“Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të borës, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë dhe me ngrica”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës thekson tutje se kushtet aktuale atmosferike, reshjet e borës dhe ngricat po krijojnë vështirësi në qarkullimin rrugor.

Këshilla për shoferët:

Mbani distancën e sigurisë mes mjeteve.

Përshtatni shpejtësinë me kushtet e rrugës.

Ngadalësoni gjatë ngasjes në rrugë të mbuluara me borë dhe akull.

Pajisuni me gomat dhe mjetet dimërore.

Siguria juaj është prioritet! Kujdesi i shtuar ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës. /Telegrafi/

Exit mobile version