Dje është mbajtur panairi i prodhimeve vendore dhe ushqimeve tradicionale në Vushtrri.
Ky panair u realizua nën organizimin e Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Vushtrrisë, derisa u prezantuan produktet e prodhuesve vushtrrias, shkruan Telegrafi.
“Ushqime tradicionale, veshje tradicionale dhe prodhime vendore janë prezantuar në sheshin e Vushtrrisë, për qytetarët e shumtë që e vizitonin këtë panair”, thuhet në njoftimin e Komunës së Vushtrrisë.
Panairin e kanë vizituar kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe drejtori i Bujqësisë, Ergin Sunguri.
Idrizi ka thënë se ky organizim ka për qëllim promovimin e prodhimeve vendore.
“Nën organizimin e Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, u mbajt panairi i prodhimeve dhe ushqimeve tradicionale vendore në qytetin e Vushtrrisë. Organizime si këto për fuqizimin prodhimeve vendore, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, ka thënë Idrizi.
Kujtojmë që panairi i prodhimeve vendore dhe ushqimeve tradicionale tashmë është bërë i përvitshëm në Komunën e Vushtrrisë. /Telegrafi/