Telegrafi

Mbahet edicioni i gjashtë i panairit tradicional në Mitrovicë, marrin pjesë së paku 30 gra

Pamje nga panairi tradicional "Gratë e Regjionit të Mitrovicës"

Në qytetin e Mitrovicës dje ka filluar panairi tradicional “Gratë e Regjionit të Mitrovicës”, i cili do të zgjasë tre ditë. Ky panair është organizuar nga organizata jo-qeveritare “Business Women Mitrovica” dhe është mbështetur financiarisht nga OSCE.

Gjatë këtyre ditëve në këtë panair do të prezantohen prodhime dhe produkte të ndryshme tradicionale që vijnë nga rajoni i Mitrovicës, shkruan Telegrafi.

Melihate Beshiri, drejtoreshë e organizatës jo-qeveritare “Business Women Mitrovica”, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se në këtë panair tradicional marrin pjesë së paku 30 gra.

Beshiri ka treguar se ato prezantojnë ushqime tradicionale, veshje kombëtare e punë-dore.

“Shumica e grave janë me prodhime vendore, ushqime tradicionale, veshje kombëtarte, punë-dore”, ka thënë ajo, duke shtuar se ky panair tradicional është profitabil dhe se sipas saj, do të ishte më mirë që panaire të tilla të organizohen më shpesh në Mitrovicë.

Beshiri ka thënë se gjatë kohës kur diaspora është në Kosovë, panairi është akoma më profitabil sepse ka më shumë shitje.

Drejtoresha e organizatës jo-qeveritare “Business Women Mitrovica” është shprehur se edhe pse dje ishte dita e parë e këtij panairi, qytetarët kanë shprehur shumë interesim rreth përmbajtjes së tij gjatë këtij edicioni.

Qytetarët në panairin tradicional në Mitrovicë

Ajo ka shtuar se interesimi më i madh ishte për ushqimet tradicionale, derisa bëri të ditur se panairi tradicional hapet në orën 09:00 dhe mbyllet në orën 23:00.

Beshiri ka theksuar se ky është edicioni i gjashtë i këtij panairi, duke potencuar se kjo është hera e parë që janë mbështetur financiarisht nga OSCE. Siç ajo ka treguar, ky panair gjithmonë është mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në kuadër të Komunës së Mitrovicës, transmeton Telegrafi.

Panairi tradicional “Gratë e Regjionit të Mitrovicës”

Më tej, Beshiri ka vijuar se organizata jo-qeveritare “Business Women Mitrovica” organizon edhe shumë panaire tjera tradicionale.

Përveç kësaj, kjo OJQ merret edhe me trajnimin e grave për avancimin e tyre në fushën e biznesit.

“Ne merremi edhe me trajnimin e grave për fushën e biznesit dhe gjithmonë avokojmë nëpër biznese”, ka përfunduar Melihate Beshiri, drejtoreshë e organizatës jo-qeveritare “Business Women Mitrovica”. /Telegrafi/