Lothar Matthaus beson se Inter “mund të kthehet për të fituar Scudetton brenda pak viteve” pasi u fut në “Hall of Fame” të klubit italian.
Nerazzurrët festojnë përvjetorin e 110-të të themelimit të tyre duke hapur sallën e tyre të re të të famshmëve, me shënimet e para për Walter Zengan, Javier Zanettin, Matthausin dhe Ronaldon.
“Interi është një familje e madhe dhe kjo është forca e saj. Tani Inter është në rrugën e duhur dhe mund të kthehet për të fituar Scudetton brenda disa viteve”, tha legjenda gjermane për Inter TV.
“Kam luajtur vetëm katër vjet për Interin, por ishte një kohë e veçantë për mua. Mendësia ime gjithmonë ka qenë për të fituar dhe kështu kam ardhur në Inter: kur arrita, mendova se duhej të bëjmë gjithçka për të fituar, jo vetëm në fushë, por në mentalitetin tonë”.
“Gjithmonë u thashë shokëve të skuadrës se ne duhej të luanim për të fituar dhe në vitin 1989 kemi bërë një punë të shkëlqyeshme me Giovanni Trapattonin dhe tifozët. Ne thyen rekordet në atë sezon, sepse gjithçka funksiononte në mënyrë të përsosur”.
“Serie A ishte liga më e mirë në botë në atë kohë me kampionë si Ruud Gullit dhe Diego Maradona, Antonio Careca dhe Marco van Basten”, tha ish-reprezentuesi gjerman.
Matthaus gjithashtu shpjegoi se pse e mbante fanellën me numrin 10 në Giuseppe Meaza.
“Numri 10 është një simbol, veçanërisht në Itali. Unë kam qenë i lumtur të vishja atë fanellë, edhe nëse nuk isha saktësisht një 10-shë, por Trapattoni më tha se isha i rëndësishëm për ekipin dhe për këtë arsye më duhej të visha 10-ten”, përfundoi ai.
Gjermani 56-vjeçar ka pasur 115 paraqitje për italianët dhe ka shënuar 40 gola ndërsa është shpallur kampion vetëm njëherë në vitin 1989. /Telegrafi/