Site icon Telegrafi

Maqedonia e Veriut barazoi me Uellsin në kualifikimet për Botërorin 2026

Maqedonia e Veriut ka zhvilluar sonte ndeshjen e dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026, ku është përballur me përfaqësuesen e Uellsit në Shkup, njofton Telegrafi.

Të dyja skuadrat hynë në këtë takim pas fitoreve në ndeshjet e para: Maqedonia e Veriut triumfoi 3-0 në transfertë ndaj Lihtenshtajnit, ndërsa Uellsi mposhti Kazakistanin 3-1 në shtëpi.

Pjesa e parë u dominua kryesisht nga mysafirët, të cilët mbajtën kontrollin e topit dhe krijuan disa raste të rrezikshme për shënim. Në pjesën e dytë, edhe Maqedonia e Veriut pati disa mundësi të mira për të kaluar në epërsi, ndërsa momenti vendimtar i takimit erdhi kur mbrojtësi Visar Musliu shpëtoi portën e Dimitrievskit, duke larguar topin nga vija fatale.

Kur pritej që ndeshja të përfundonte në barazim pa gola, Miovski shënoi në minutën e parë të kohës shtesë, por ndeshja u mbyll në barazim pasi krejt në fund të ndeshjes, më saktësisht në minutën e gjashtë të shtesës Brooks barazoiu shifrat në 1-1. Maqedonia e Veriut kryeson e grupin me katër pikë, aq sa ka edhe Uellsi në pozitën e dytë.

Kjo ndeshje ishte jashtëzakonisht emocionale për ekipin dhe tifozët vendas, pasi ishte e para që zhvillohej në shtëpi pas tragjedisë së rëndë në Koçan, ku humbën jetën 59 persona fundjavën e kaluar. Në minutën e 59-të të ndeshjes, stadiumi shpërtheu në duartrokitje të gjata dhe brohoriti “Koçani, Koçani” në kujtim të viktimave.

Nga minuta e parë në këtë ndeshje u aktivizuan futbollistët shqiptarë Enis Bardhi (kapiten), Visar Musliu, Ezgjan Alioski dhe Isnik Alimi, i cili u zëvendësua në minutën e 60-të. Agon Elezi mbeti në stol gjatë gjithë takimit.

Maqedonia e Veriut do të përballet me favoriten e grupit, Belgjikën, më 6 qershor 2025 në Shkup, ndërsa më 9 qershor do të luajë në transfertë kundër Kazakistanit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version