Site icon Telegrafi

Maqedoni, përfundojnë përgatitjet për fillimin e blerjes së sivjetme të duhanit

Me rekoltën e vitit 2017 ,me duhan gjithsej janë dakorduar dhe mbjellë 14.342 hektarë, është vlerësim i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të prezantuar në takimin e sotëm të punës të ministrit Lupço Nikollovski me Shoqatat e prodhuesve dhe blerësve të duhanit.

Në bazë të shqyrtimeve në terren, sipas vlerësimeve nga ana e Shoqatave të prodhimtarisë së duhanit dhe të blerësve të duhanit, prodhimtaria vjetore pritet të jetë në nivel prej rreth 24.000 tonë.

Në takimin e punës, i cili u mbajt në prag të blerje së sivjetme të duhanit u prezantua gjendja aktuale me prodhimtarinë e duhanit, si dhe pritjet për sasitë e sivjetme të blerjes së duhanit.

Në pajtim me Ligjin për duhan dhe prodhime të duhanit arritja e marrëveshjeve për prodhimtarinë dhe blerjen e duhanit për rekoltën e sivjetme, përfundoi më 10 prill të këtij viti.

Janë regjistruar nëntë kompani blerëse, të cilat kanë paraqitur 29.132 marrëveshje për prodhimtarinë dhe blerjen e duhanit ose 1.750 më shumë marrëveshje në lidhje me vitin e kaluar kur u paraqitën 27.380 marrëveshje.

Prodhuesit dhe blerësit e duhanit theksuan se për shkak të kushteve të këqija të motit, gjegjësisht ngricat e hershme dhe pastaj thatësia, pritet prodhimtari më e vogël e duhanit nga prodhimtaria e dakorduar prej 26.532 tonë.

Përfaqësuesit nga shoqatat e prodhuesve të duhanit theksuan se vitin e kaluar kanë pasur problem me refuzimet që i kanë kryer blerësit dhe kërkuan vlerësim të klasave që të kryhet në mënyrë reale.

Sipas dispozitave ligjore, blerja e duhanit duhet të fillojë më së voni deri më 15 dhjetor, por nëse blerësit i plotësojnë të gjitha kushtet, mund edhe më herët të fillojnë me blerjen e duhanit.

Ministri Nikollovski theksoi se duhet të realizohen të gjitha kushtet për blerje pa pengesa të duhanit dhe iu bëri thirrje blerësve të deklarohen nëse kanë siguruar mjete financiare për blerjen e duhanit.

Blerja e sivjetme e duhanit do të realizohet sipas Ligjit të ri për duhan dhe prodhime të duhanit, ndërsa ligji i ri pritet të sillet deri në fund të këtij viti.

Nga kompanitë blerëse shprehën besim se kanë siguruar mjete financiare për pagesën e sasisë së plotë të dakorduar./Telegrafi/

Exit mobile version