Site icon Telegrafi

Maqedoni, anulohet seanca e parë për rastin “Besa Trans”

Seanca e parë e gjykimit për “Besa Trans”, kompania me autobus të së cilës në një aksident në nëntor të vitit të kaluar humbën jetën 45 shtetas të Maqedonisë është shtyrë për 15 nëntor. Shtyrja ka ndodhur për shkak se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës publike për faktin se personi juridik i akuzuar nuk ka pasur përfaqësues zyrtar.

Në gjykimin i akuzuari Bekim Haxhiu, pronar dhe menaxher i “Besa Trans”, ka deklaruar se është përfaqësues i autorizuar i personit juridik të akuzuar, të cilit gjykata i ka theksuar se si i pandehur në këtë procedurë nuk mund të jetë edhe përfaqësues i autorizuar i personit juridik të akuzuar në të njëjtën procedurë.

“Sipas nenit 511, nga i pandehuri si drejtues i personit juridik kërkohet që të caktojë një përfaqësues nga radhët e personave përgjegjës dhe punonjësve të personit juridik, tha gjyqtari.

Në këtë rast, një person fizik dhe një person juridik akuzohen për veprën penale të vazhduar “falsifikim dokumentesh”.

“I pandehuri 41-vjeçar si drejtues i personit juridik nga Rashçe, duke shfrytëzuar të njëjtat marrëdhënie të përhershme, të njëjtat raste dhe rrethana të ngjashme, nëpërmjet drejtuesve të mjeteve që drejtonin autobusin në pronësi të kompanisë, ka kryer disa veprime të lidhura me kohën dhe ka përdorur si dokument publik të vërtetë çertifikatën fals të licencës për kryerjen e transportit publik në komunikacionin rrugor ndërkombëtar. Një licencë e tillë për autobusin në fjalë nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe menaxheri ua ka dhënë dokumentin e përgatitur publik fals shoferëve që kanë vozitur autobusin dhe me të kanë kaluar kufirin shtetëror. Prokurori publik kompetent gjatë procedurës ka ofruar dëshmi se në periudhën prej datës 10.01.2021 deri më 21.11.2021, autobusi ka kaluar 20 herë kufirin shtetëror në pika të ndryshme kufitare në këtë mënyrë, sipas propozim aktakuzës.

Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, ndërsa përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik Vladimir Miloshevski.

Exit mobile version