Site icon Telegrafi

Manipuluan me procesin e punësimit në Trepçë, aktakuzë ndaj tre personave

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj tre personave: A.H., E.M., dhe B.A., për shkak të kryerjes së veprës penale “Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”.

Aktakuza bazohet në dyshime të forta se ata kanë vepruar në mënyrë të paligjshme në procesin e rekrutimit të punëtorëve në Ndërmarrjen Trepça SH.A.

Siç njofton Prokuroria, të pandehurit, si anëtarë të komisionit për pranimin e punëtorëve në janar të vitit 2020, kanë shkelur legjislacionin në fuqi dhe procedurat e përcaktuara për rekrutimin e kandidatëve.

Ata nuk e kanë respektuar udhëzimin administrativ të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe kanë kryer shkelje në rregulloren e vlerësimit gjatë intervistimit të kandidatëve.

Në vend që të ndanin një maksimum prej 20 pikësh për çdo pyetje të saktë, ata kanë vlerësuar kandidatët me 25 pikë, duke rezultuar në një sistemim të padrejtë të kandidatëve në vende pune.

Kjo ka shkaktuar që shtatë persona të marrin pozita pune, duke mohuar kështu të drejtat e kandidatëve të tjerë për punësim.

“Të njëjtit, kanë shkelur rregulloren e vlerësimit gjatë intervistimit me gojë të kandidatëve, ashtu që në vend të vlerësimit për çdo pyetje të saktë me 20 pikë siç rregullohet në udhëzim administrativ, në rastin konkret të pandehurit i kanë vlerësuar kandidatët me nga 25 pikë për pyetje në total me mbi 100 deri 300 pikë, duke i sistemuar në vende pune dhe themeluar marrëdhënie të punës me 7 persona, dhe me këtë veprim kandidatëve tjerë u ka mohuar të drejtën për punësim dhe kushte të njëjta ashtu siç parashihet me ligj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë

Prokurori i Shtetit ka propozuar që gjykata t’i shpallë të pandehurit fajtor për veprën penale dhe t’i dënojë sipas ligjit. /Telegrafi/

Exit mobile version