Nga 39 gra që kanë arritur të fitojnë votat për t’u bërë deputete të Kuvendit të Kosovës, vetëm 13 prej tyre kanë pasur nevojë për kuotë gjinore që të fitojnë ulëse në Kuvend. Të gjitha subjektet politike që kanë garuar në zgjedhje kishin përmbushur vetëm kuotën prej 30 përqind të përfaqësimit të grave në listat për kandidate për deputete, por jo ligjin për barazi gjinore, i cili kërkon përfaqësim 50 përqind për secilën gjini.
Kjo po vlerësohet si një sukses i grave deputete, por që kuota gjinore po shihet si e domosdoshme që të përdoret edhe për disa palë zgjedhje.
Të 11 deputetet e ardhshme të Lëvizjes Vetëvendosje kanë arritur të marrin vota për të qenë pjesë e Kuvendit pa pasur nevojë për kuotë gjinore. Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, vetëm dy gra deputete nga gjithsej 9, kanë pasur nevojë për kuotë.
Për kuotë gjinore kanë pasur nevojë më shumë gratë deputete nga Partia Demokratike e Kosovës dhe nga koalicioni AAK-PSD, ku nga 8 deputete sa janë zgjedhur nga PDK, 6 janë zgjedhur përmes kuotës, ndërsa nga koalicioni AAK-PSD, nga 5 deputete, 4 janë zgjedhur përmes kuotës.
Zgjedhjet e 6 tetorit shënuan numrin më të madh të grave që arritën të bëhen pjesë e Kuvendit pa pasur nevojë për kuotë gjinore, por që analistët politikë dhe njohës të fushës vlerësojnë se heqja e kuotës nuk duhet të ndodh edhe për disa palë zgjedhje.
Drejtoresha ekzekutive e Grupit për Studime Politike dhe Juridike Arbëresha Loxha, thotë për KosvaPress, se kjo legjislaturë do të ketë një përfaqësim më meritor të grave në Kuvendin e Kosovës, për faktin se një numër i madh i grave kanë siguruar ulëse në Kuvend pa pasur nevojë për kuotën gjinore.
Ndonëse thotë se është sukses që 26 gra nga 39 sa do të jenë në Kuvend, kanë arritur të fitojnë pa kuotë gjinore, këtë të fundit e sheh të domosdoshme të përdoret edhe në disa palë zgjedhje.
Sipas saj, të gjitha këto arsye e japin një pasqyrë që Kosova ende nuk e ka arritur një pjekuri në mesin e partive politike që gratë të kenë vendin e merituar si në struktura të partisë, ashtu edhe nëpër institucione të Kosovës.
Edhe analisti politik Rasim Alija, thotë për KosovaPress, se përkundër rritjes së grave deputete që kanë arritur të marrin mandatin pa pasur nevojë për kuotë gjinore, kjo e fundit duhet të vazhdojë të përdoret deri në momentin kur partitë politike përfshijnë më shumë gra në listat zgjedhore.
Marrjen e mandatit të 26 deputeteve gra pa pasur nevojë për kuotë gjinore, Eugen Cakolli nga KDI e sheh si tregues të emancipimit të votuesve. Megjithatë, edhe Cakolli thotë se kuota duhet të vazhdojë të përdoret.
Sipas tij, heqja e kuotës në këto rrethana në të cilat është Kosova do të ishte kthim mbrapa, pasi ende nuk është arritur kuota minimale për përfaqësim të 30 përqind të grave në Kuvend pa pasur nevojë për kuotë.
Kujtojmë se partitë politike janë kritikuar që në listat zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit nuk kishin respektuar Ligjin për Barazi Gjinore për përfaqësim të barabartë 50 përqind. Të gjitha subjektet politike që kanë garuar në zgjedhje kishin përmbushur vetëm kuotën prej 30 përqind të përfaqësimit të grave në listat për kandidate për deputete, por jo Ligjin për Barazi Gjinore i cili kërkon përfaqësim 50 përqind për secilën gjini.
Partitë politike nuk kanë respektuar këtë ligj dhe në listat e tyre nuk kanë pasur më shumë se 34 gra të përfshira. Në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilës i prinë kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani, ishin vetëm 33 gra.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës në listën e saj për kandidatët për deputet ka pasur 33 gra, e aq ka pasur edhe koalicioni në mes Nismës-AKR-PD. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni AAK-PSD në listat e tyre kanë pasur nga 34 gra. /KP/Telegrafi/