Site icon Telegrafi

Mandati i Xhaçkës, Bardhi letër ndërkombëtarëve: Injorimi i Kushtetueses, puç shtetëror

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka informuar zyrtarët e Bashkimit Evropian, Parlamentit Evropian dhe gjithë trupin diplomatik në Tiranës për vendimin e Kuvendit kundër dërgimit të çështjes së mandatit të deputetes socialiste në Gjykatën Kushtetuese.

“Në çdo vend demokratik zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor”. Kështu e nis informimin për ndërkombëtarët Gazment Bardhi lidhur me çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës.

Sipas Bardhit, situata është në kufirin e një puçi shteti: “Ky refuzim për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm cenon të drejtat e pakicës parlamentare të garantuara nga neni 70 pika 4 e Kushtetutës, por cenon edhe parimet bazë të shtetit ligjor, autoritetin dhe besimin e publikut tek Gjykata Kushtetuese dhe nenin 132 të Kushtetutës, që sanksionon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim”.

Për kreun e deputetëve të PD, vendimi i socialistëve është mbrojtje politike ndaj Olta Xhaçkës dhe pengim i Reformës në Drejtësi. Duke e konsideruar votimin në Kuvend si dhunimin më flagrant të Kushtetutës, ka një thirrje për ndërkombëtarët: “Si nxitës të Reformës në Drejtësi dhe si garant të çuarjes përpara të zbatimit të kësaj Reforme pa devijime të papërshtatshme, duke besuar se nuk mbështesni standartin “një drejtësi për Edi Ramën dhe një drejtësi tjetër për gjithë të tjerët”, shpreh bindjen time se ky veprim i paprecedent nuk do të përkrahet nga ana juaj, qoftë edhe përmes kalimit të kësaj situate në heshtje”.

Demokratët ndërkohë po punojnë dhe për ridërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. /Telegrafi/

Exit mobile version